Ardit Çela flet për dhunimin e anëtarit të LSI: Akt kriminal dhe i pabesë! Humbja e Rilindjes e vendosur
“Një akt kriminal dhe të pabesë të Rilindjes”, kështu e ka konsideruar Ardit Çela ngjarjen e djeshme në Poliçan ku u dhunua anëtari i LSI, Luan Tare.
Në një intervistë për News24, kandidati i LSI në qarkun e Beratit akuzoi qeverinë se synon që të trembë të gjithë ata qytetarë që mendojnë ndryshe. Ai u shpreh i bindur se Rilindja do të humbasë në 25 prill, ndërsa theksoi se LSI nuk do ndalet drejt fitores.
“Një akt kriminal i pabesë që tregon fytyrën e rilindjes jo vetëm në Poliçan, por në gjithë Shqipërinë. Ky është një akt që shpreh nervozizmin e rilindjes. Synon të trembë qytetarët që mendojnë ndryshe nga ata. Humbja e rilindjes është vendosur dhe fitorja e LSI është mund të ndalet. Ftoj prokurorinë që të bëjë detyrën dhe të arrestojë këta që kanë guxuar të godasin qytetarët në derë të shtëpisë. Prej muajsh vijonin kërcënimit për ta braktisur LSI. Primitivë dhe tribal”, u shpreh Çela.
Sipas Çelës, 25 prilli do të jetë një dite feste për të gjithë qytetarët që mezi presin të largohet Rilindja.
“Dita e votimit do të jetë një ditë feste dhe qytetarët mezi presin që rilindja të ikë. Do të jetë një ditë feste sepse Shqipëria do të çlirohet nga këta që e kanë kapur dhe po shfrytëzojnë Shqipërinë, nga kjo bandë që ka kapur edhe PS dhe nuk përfaqëson me vlerat e PS. 25 prilli do të jetë ditë referendumi dhe Shqipëria do të fitojë”, theksoi kandidati i LSI në Berat.
Ndërsa për mbrojtjen e votës, Ardit Çela tha se kjo bëhet nga vetë qytetarët dhe jo nga forcat politike.
“Fatkeqësisht shteti ka kapitulluar, prandaj kjo qeveri duhet të ikë. Sepse Shqipëria meriton qeverisje tjetër, ku rendi të mbizotërojë. Shqiptarët do votojnë kundër kësaj qeverie. Sa i përket mbrojtjes së votës, do e mbrojnë vetë qytetarët, nuk bëhet nga forcat politike.”