Ardit Çela në Berat: Qeveria nuk dëgjon ekspertët, mbyllet në zyra të errëta dhe harxhohen miliarda për koncesione e PPP
Drejtuesi politik i LSI-së në Berat, Ardit Çela, zhvilloi këtë të premte një tryezë për trashëgiminë kulturore në këtë qytet, ku vuri theksin tek investimet. Sipas tij trashëgimia kulturore është një e mirë ekonomike, por theksoi se vëmendja e qeverisë vendore dhe lokale ka qenë inekzistente. Qeveria Rama dhe bashkia Berat, thotë ai, nuk dëgjojnë dhe nuk konsultohen me ekspertët e fushës, por mbyllen në zyra të errëta dhe bëjnë punë të dyshimta klienteliste.
Fjala e plotë
Më lejoni që të konstatoj por edhe të shpreh me shumë sinqeritet dhe me shumë mirënjohje qytetare për secilin nga ju, se pavarësisht nga cila fushë vijmë, pavarësisht se çfarë angazhimi kemi në jetën tonë të përditshme, kemi një të përbashkët të madhe, e duam Beratin, e duam Shqipërinë.
Trashëgimia kulturore është dëshmi e jetës dhe historisë, është pasqyrë e vlerave tona të trashëguara dhe të transmetuara nga thellësia e shekujve. Ajo është tregues dhe dëshmi e rëndësishme e identitetit tonë kombëtar, është shprehi e udhëtimit dhe ekzistencës në kohë breza pas brezi e traditës dhe e zakoneve tona.
Por ndërkohë, e parë nga një këndvështrim tjetër, trashëgimia vetë është një e mirë ekonomike, e cila nëse do të menaxhohej me vizion, do të vendosej në funksion të një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik, duke sjellë edhe një impakt të fuqishëm social, parë kjo si në aspektin kombëtar, ashtu edhe në atë rajonal.
Prandaj është e nevojshme që të harmonizojmë të gjitha kapacitetet për të rivitalizuar çdo gjë që mbart histori, traditë trashëgimi materiale dhe shpirtërore, me qëllim që të gjenerojmë kulturë dhe vlera, por edhe mundësi për ekonominë, turizmin, për industrinë e tregtisë dhe shërbimeve, çka do të sillte edhe hapjen e vendeve të reja të punës, duke rivitalizuar të gjithë rajonin nga pikëpamja sociale dhe ekonomike.
Ne sot gjendemi në qytetin më të bukur të Shqipërisë dhe ky është fakt pasi vetë UNESCO e ka cilësuar Beratin si një qytet unik. Jemi në Beratin e Kodikëve, Kodiku i Purpurt i Beratit është regjistruar në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të ashtuquajturit në Kujtesën e Botës së UNESCO-s. Jemi në qytetin muze të Beratit, të arkitekturës karakteristike ku shekujt ndjekin njëri – tjetrin. Në Beratin e Goricës, Mangalemit dhe të Kalasë. Në Beratin e Kishave dhe të Xhamive që aq bukur rrinë në krah të njëra – tjetrës. Në Beratin e Teqeve, që plotëson mozaikun e bukur dhe unik të harmonisë fetare, sepse me krenari ne mund ta them se Berati është djepi i krenarisë fetare.
Por jemi gjithashtu edhe në Beratin e ngjarjeve dhe momenteve të rëndësishme historike. Në krah i qëndron Skrapari i traditës, i bukurisë natyrore, Skrapari i kanioneve dhe i vendbanimeve të hershme historike. Skrapari i këngës karakteristike, Skrapari i vlerave dhe i folklorit të magjishëm. Skrapari i cili çdo gusht kthehet në qendrën e pelegrinazhit bektashi. Tomori mali i shenjtë, shtëpia e perëndive dhe po aq magjishëm e përshëndet përballë Shpiragu.
Qytetërimi i Dimalit si dëshmi e patjetërsueshme e kulturës antike ilire, vjen edhe sot e kësaj dite në gojët e banorëve të fshatit Krotinë. Dimalin e krijoi Perëndia, ndaj nuk mund të merrej nga njerëzia. Në zonën e Kuçovës, dhe më saktë në Perondi gjendet një nga kishat më të vjetra në Ballkan, Kisha e Shën Kollit. Ndërsa në Salcë – Kozarë gjejmë kishën Fjetja e Shën Mërisë.
Trashëgimia kulturore, materiale e shpirtërore në të gjithë Qarkun e Beratit është e jashtëzakonshme dhe megjithatë vëmendja nga qeveria qendrore dhe lokale është inekzistente. Qeveria qendrore dhe lokale nuk e ka as vizionin dhe as dëshirën që të investojë në trashëgiminë kulturore, jo vetëm si detyrë qeverisëse, morale dhe qytetare, si detyrë ndaj historisë dhe vazhdimësisë, por edhe si potencial i zhvillimit ekonomik.
Qeveria qendrore dhe lokale harxhojnë dhe keqmenaxhojnë miliarda lekë për të ngulur dhe për të shkulur pllaka duke shkatërruar qendrën e Beratit, për të bërë parkime me qëllime të dyshimta dhe nuk investojnë në trashëgiminë kulturore, që do të hapte vende të reja pune. Qeveria qendrore dhe lokale harxhojnë miliarda për koncesione dhe për PPP, për makina të reja dhe luksoze për kryebashkiakët dhe nuk ndihmojnë në zhvillimin e një turizmi të integruar, që do të zhvillonte ekonominë dhe do të rriste mirëqenien e njerëzve.
Qeveria qendrore dhe lokale nuk dëgjojnë dhe nuk konsultohen me ekspertët e fushës, për fat të mirë shumë prej tyre beratas, të cilët i kemi sot në këtë tryezë të nderuar, por mbyllen në zyra të errëta dhe bëjnë punë të dyshimta klienteliste. Duhet ndryshim rrënjësor, në koncept, në mentalitet, në projektet. Në kushtet kur pandemia globale pati një ndikim tmerrësisht negativ në sektorin e turizmit.
Shteti dhe institucionet duhet të hartojnë një plan masash emergjente për ngjalljen e turizmit kulturor, një nga segmentet më të mëdha dhe më të shpejtë në rritjen anembanë botës, i cili sipas studimeve zë rreth 40 për qind të të gjithë turizmit evropian. Sikurse citohet edhe në Manifestin e Aleancës për Trashëgiminë Evropiane, turizmi ka nevojë për trashëgiminë kulturore, dhe trashëgimia kulturore ka nevojë për turizmin.
Prandaj ne do të investojnë në rigjenerimin e udhëhequr nga trashëgimia të zonave urbane dhe rurale duke forcuar rimëkëmbjen sociale dhe ekonominë në Qarkun e Beratit. Ne do të investojmë fuqimisht në ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe do të kthejmë vëmendjen e shtetit drejt një plani të integruar për të harmonizuar të gjithë potencialet historike, natyrore, kulturore, materiale dhe shpirtërore në Qarkun e Beratit. Ne do të bashkëpunojmë fuqimisht me të gjithë ju, me komunitetin, me transparencë, sepse ne duam Beratin, e duam Skraparin, e duam Kuçovën dhe Dimalin. Ne do ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë tonë.