Armët te populli/ Pas dështimit me amnistitë, qeveria vjen me plan veprimi

Nga: Redjon Shtylla

Hapja e depove në mars të vitin 1997, shënoi shpërthimin më të madh, ku shqiptarët bastisën magazinat e armatimit. Që nga ajo kohë, në Shqipëri janë bërë tre amnisti nga qeveria për dorëzim të armëve, por pjesa më e madhe e municioneve nuk janë dorëzuar.

Tani jo më një amnisti, por një plan veprimi. Qeveria do të ndryshojë Kodin Penal për të përforcuar ligjin për armëmbajtjen. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, tha se ministrat kanë miratuar një plan veprimi që do të rrisë kontrollin e policisë për qarkullimin dhe mbajtjen e armëve. Sipas tij me planin e ri, armëmbajta do të jetë më e rregulluar.

Amnistia e fundit për armët ishte në vitin 2017, ku u mblodhën vetëm 1604 armë zjarri, një shifër realisht shumë e vogël. Politika e qeverisë me këtë plan vperimi, ngre dilemën për këtë veprim, ku lind pyetja sesi do të ndikojë në parandalimin dhe uljen e numrit e të vrarëve me armë zjarri? Kjo përsa kohë amnistitë kanë dështuar dhe grupet krimanle në vend janë të pajisura me arsenal armësh.

Sipas një sondazhi, gjysma e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor ndihen të kërcënuar nga keqpërdorimi i armëve. Në vitin 2020, në vend u raportuan 372 raste të krimeve me armë zjarri. 317 kanë si autor burrat. 41 persona u vranë me armë zjarri. Trafiku i armëve është një fenomen ende prezent në vend.

Problem në vendin tonë, është lehtësia për të gjetur armë që përdoren për vrasje dhe zgjidhja e këtij problemi, për të eleminuar lehtësinë e gjetjes së një arme krimi, do të frenonte rritjen e krimit në vend.

Ka nga ata që mendojnë se lejimi me ligj i armëve në vend, do të jetë më rezultativ për uljen e numrit të të vrarëve, si dhe në parandalimin, identifikimin dhe zbulimin e atorëve të krimit. SHBA-ja e ka të ligjëruar armëmbajtjen.

Shqipëria është cilësuar si qendra e Ballkanit dhe rrugë tranziti për trafikimin e armëve nga Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi. Akoma në duart e qytetarëve ndodhen një numër i konsiderueshëm armësh, dhe këtë e tregojnë ngjarjet kriminale.

SHKARKO APP