Arrestimi i anëtarëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, PDIU: Shembulli i masave represive të qeverisë
Pas arrestimit të anëtarëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, ka reaguar Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila përmes një deklarate për mediat, thotë se ky veprim është shembulli i masave anti-demokratike. Përmes një deklarate PDIU-ja, thekson se demokracia jonë hibride po rrëshket gjithnjë e më shumë drejt autoritarizmit duke vënë në rrezik më shumë se kurrë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. ”Policia e Shtetit mund të burgosë aktivistë, por ajo nuk mund të burgosë frymën, idetë dhe aspiratat e shqiptarëve të lirë. Me urdhër mund të kontrollohet qasja në informacion, por nuk mund të fshihen të vërtetat që qytetarët e këtij vendi i shohin përditë. Sjelljet e këtij regjimi tregojnë vetëm që fundi i tij është afër, që pushteti një ditë mbaron, ndërsa llogaridhënia herët a vonë do të jepet një më një”,-thuhet ndër të tjera në deklaratën zyrtare të PDIU-së.
Deklarata e plotë
Pas pamjeve të trishta të ditëve të fundit, ku minorenë e adoleshentë u dhunuan e arrestuan nga policia e shtetit, dje rezistenca demokratike dhe aktivizmi qytetar morën një tjetër goditje fatale.
Arrestimi i anëtarëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Ergys Mërtiri dhe Astrit Seranaj është shembulli “par exellence” i masave anti-demokratike dhe represive që vazhdojnë të ndërmerren nga Ministria e Brendshme.
Prej kohësh shoqëria e lirë civile, e cila ka vendosur të reagojë për kauza të rëndësishme që shqetësojnë qytetarët, jo vetëm që nuk dëgjohet siç ndodh në vende normale, por dhunohet dhe arrestohet. Demokracia jonë hibride po rrëshket gjithnjë e më shumë drejt autoritarizmit duke vënë në rrezik më shumë se kurrë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Duke parë përshkallëzimin e vazhdueshëm të represionit qeveritar dhe duke vërejtur me keqardhje përdhosjen e rolit të shoqërisë civile, kërkojmë nga Ministri i Brendshëm i sapoemëruar dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shpjegime mbi ndalimin për orë të tëra dhe dhunimin e aktivistëve. Po ashtu, iu bëjmë thirrje partnerëve ndërkombëtarë të dënojnë akte të tilla, që bien ndesh me vlerat euro-atlantike, pjesë e të cilave shqiptarët ndihen vetiu.
Policia e Shtetit mund të burgosë aktivistë, por ajo nuk mund të burgosë frymën, idetë dhe aspiratat e shqiptarëve të lirë. Me urdhër mund të kontrollohet qasja në informacion, por nuk mund të fshihen të vërtetat që qytetarët e këtij vendi i shohin përditë. Sjelljet e këtij regjimi tregojnë vetëm që fundi i tij është afër, që pushteti një ditë mbaron, ndërsa llogaridhënia herët a vonë do të jepet një më një.