Arrestimi i autorëve të zjarreve, Rama: Gjykatësit të mos vijojnë me avazin, pasi si krim dënohet deri në 15 vite burg

Kryeministri Edi Rama e cilëson një krim barbar që dënohet deri me 15 vite burg, kush shkakton dhe u vë flakën pyjeve në vend. Por nga ana tjetër, ka një thirrje edhe për gjykatësit në vend. ”Përsëris si për gjithë të arrestuarit e tjerë, apelin në adresë të gjykatësve në rrethe, që të mos vazhdojnë me avazin e tyre të vjetër të mosndëshkimit të një krimi barbar si ky, i cili në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë dënohet deri 15 vjet burg”,-shkruan Rama.

Postimi i plotë

Një bravo e madhe për Policinë e Shtetit që këtë verë u është qepur këmba-këmbës zjarrvënësve, duke arritur t’i kapë dhe çojë prapa hekurave, si në rastin e kriminelëve që i vunë zjarrin pyllit në Laç, për të cilët përsëris, si për gjithë të arrestuarit e tjerë, apelin në adresë të gjykatësve në rrethe, që të mos vazhdojnë me avazin e tyre të vjetër të mosndëshkimit të një krimi barbar si ky, i cili në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë dënohet deri 15 vjet burg.

Një falënderim i përsëritur për trupat e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, e cila e ka rritur ndjeshëm nivelin e performancës gjatë këtij sezoni turistik, duke e mbrojtur me profesionalizëm e shpirt sakrifice pasurinë e paçmueshme natyrore dhe ulur në mënyrë të konsiderueshme dëmet potenciale të këtyre krimeve të neveritshme në verbërinë, shpirtligësinë, marrëzinë e tyre.

SHKARKO APP