Arrestimi i sekretares së Përgjithshme te MSH, SPAK: Në pranga administratori dhe inxhinieri i një kompanie
SPAK informon se janë vënë në pranga edhe dy persona të tjerë pas arrestimit të Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro.
“Në kuadër të hetimit të procedimit penal nr.10/1 të vitit 2023, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar në datën 03.06.2023 dhe 04.06.2023 urdhërat e ndalimit të Prokurorisë së Posaçme ndaj shtetasve V. T. dhe S. Sh., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nene 245 dhe 25 i Kodit Penal”, njoftoi SPAK.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore është krijuar dyshimi se vlera e përfituar në mënyrë të parregullt nga Duro është dhënë si ryshfet nga V.T., administrator i operatorit ekonomik “Dri…” sh.p.k, me qëllim për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.
Po ashtu, janë grumbulluar prova që krijojnë dyshimin se shtetasi S. Sh., me detyrë inxhinier pranë operatorit ekonomik “Dri…..” sh.p.k, pasi e ka marrë vlerën monetare prej 330. 000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë nga banesa e shtetasit V. T., ja ka dërguar më pas Laura Shetos, specialistes së prokurimeve, e cila ishte personi që kishte njohje dhe mbante kontakte me Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale. Për rastin është vënë në prang edhe Sheto.