Arrestohet “atentatori” i Bashës në Ersekë, Edi Paloka: Ishte i paguar nga Rama

Policia e Korçës arrestoi ne mesnate 21- vjeçarin i cili tentoi të godiste me karrige kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, gjatë një takimi me demokratët e Ersekës. Si pasoje e këtij akti, mbeti i lënduar në kokë një person tjetër, Fuat Mydini, i cili ndodhej pranë liderit demokrat. 21 vjeçari ishte duke pirë kafe në një lokal pranë vendit ku po zhvillohet takimi i demokratëve, dhe sapo ka marrë fjalën kreu i PD-se Basha, i riu ka tentuar që të hedhë karrigen në drejtim të tij. Liço akuzohet për plagosje të rëndë me dashje, ndërkohë që i dëmtuari Mydini po merr mjekim në spitalin e Korçës.

 

Kreu i Grupit Parlamentar, Edi Paloka, sot në Kuvend e dënoi gjithashtu aktin e rëndë, duke theksuar se “Militanti që tentoi të godiste Bashën ishte paguar nga Rama. Këtë e vërteton heshtja e kryeministrit.” Një incident tjetër ndodhi në Durrës, ku edhe u tentua të prishej një takim i kandidates së djathtë, Grida Duma.

 

Reagon PD: Dhuna e orkestruar nga mazhoranca

Partia Demokratike dënon me ashpërsi dhunën e orkestruar që u ushtrua në nisje të aktivitetit për prezantimin e kandidatit të opozitës në Kolonjë, ku një person i njohur për lidhjet e tij me pushtetin, hodhi një karrige në drejtim të qytetarëve të mbledhur në aktivitet duke plagosur zotin Fuat Ndini 65 vjeç. Z. Ndini u shoqërua menjëherë në spital për të marrë ndihmën mjekësore për shkak të plagëve të rënda në kokë.

Mos distancimi ndaj këtij sulmi nxjerr zbuluar autorët dhe porositësit që janë të njëjtët që kanë frymëzuar akte dhune edhe në qytete të tjera kundër opozitës. Ky është tregues i panikut dhe frikës që ka kapur dyshen Rama-Meta nga gjykimi popullor me votë në 21 qershor.

Partia Demokratike shpreh mirënjohjen ndaj anëtarëve, simpatizantëve dhe qytetarëve shqiptarë që kanë vërshuar masivisht në takimet prezantuese të kandidatëve tanë. Ne i sigurojmë ata dhe mbarë qytetarët shqiptarë se Partia Demokratike do të vazhdojë dhe intensifikojë fushatën e saj dinjitoze, qytetare dhe demokratike.

Partia Demokratike paralajmëron dyshen Rama-Meta se çdo përpjekje apo presion kriminal i frymëzuar dhe i paguar nga kjo dyshe, nuk do të arrijë kurrë të mposhtë vendosmërinë plebishitare të qytetarëve shqiptarë për t’i dhënë gjykimin e merituar, por vetëm do ta shtojë padurimin e shqiptarëve të bashkuar për të larguar një orë e më parë oligarkinë Rama-Meta nga keqqeverisja shkatërrimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët.

 

 

 

SHKARKO APP