Arrestohet ish-kreu i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku
Është arrestuar ish-kreu i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku dhe ndodhet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Bëhet me dije se Kajmaku është arrestuar gjatë mbrëmjes së djeshme, pasi u paraqit në gjendje të rëndë në një spital privat për shkak të diabetit. Mësohet se kanë qenë vetë mjekët që kanë lajmëruar policinë se ai ndodhej i shtruar aty.
Kajmaku ishte shpallur në kërkim që në 11 nëntor të 2019, pas hetimeve që nisën ndaj tij për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumentave. Ish-kreut të Bashkisë së Vorës iu hoq mandati sepse prekej nga ligji i dekriminalizimit.
NJOFTIMI I POLICISË
Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë u krye ekzekutimi i urdhrit të prokurorit, për ndalimin e shtetasit në kërkim:
A. K., 49 vjeç, banues në Tiranë.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tirane ka dërguar urdhrin e ekzekutimit të datës 09.11.2019, bazuar në vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Falsifikimi i dokumenteve zyrtare” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”.
Ekzekutimi i vendimit penal është bërë në ambientet e një spitali privat në Tiranë, ku aktualisht ky shtetas po trajtohet me ndihmë të specializuar mjekësore. Materialet do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë,- thuhet në njoftimin e policisë.
Ai u denoncua fillimisht nga PD se kishte fshehur dënimin në Greqi për falsifikim parash. Greqia e shpalli të pafajshëm, ndërsa rezultoi e vërtetë që në vitin 2003 ai ishte në kërkim për falsifikim të kartëmonedhave dhe nuk u kap pasi kishte ikur në Shqipëri.
Prokuroria e akuzon ish-kryebashkiakun për 3 vepra penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”. “Falsifikim i dokumentave” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të detyrës”.