Arrestohet për zjarrvënie ish-zëvendësministri i Integrimit
Vihet në pranga ish-zëvendësministri i Integrimit dhe Shëndetësisë Albert Gajo. Dogji një sipërfaqe me vreshtari, zjarri përfshiu më pas edhe një sipërfaqe tjetër me bimësi të ndryshme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kolonjë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Albert Gajo, 59 vjeç, banues në Tiranë, pasi në vendin e quajtur “Sarandapor”, në Leskovik, Kolonjë, me veprimet e tij ky shtetas ka shkaktuar rënien e zjarrit në një sipërfaqe me vreshtari, duke përfshirë më pas edhe një sipërfaqe tjetër me bimësi.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Gajo ka qenë zëvendësministër i Integrimit në vitet 2005-2009 dhe zëvendësministër i Shëndetësisë në vitet 2009-2013.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.
KOHA JONË SONDAZH

