‘”Arsimi i lartë”, Rama: Ligji i ri garanton konkurrencë dhe vlerësim të meritës
Kryeministri Edi Rama tha sot se ligji i ri ‘për arsimin e lartë’ garanton konkurrencë dhe vlerësim të meritës, si dhe mishëron reformën më revolucionarizuese në këtë fushë.
Pas miratimit mes debatesh të këtij projekti nga Kuvendi, Rama përsëriti vlerësimet e larta për nismën e qeverisë, e cila tha ai, i është nënshtruar një procesi të gjatë, të thellë dhe gjithëpërfshirës konsultimi në përpjekjen për të ndërtuar një ligj si mishërim i një reforme revolucionarizuese për një sektor kaq të rëndësishëm siç është arsimi i lartë.
“Produkti është absolutisht shumë i mirë, ndërkohë që është për të ardhur keq që kundërshtia bëhet në emër të të varfërve, duke spekuluar në mënyrën më të padenjë dhe duke gënjyer në mënyrën më të papranueshme”, tha kryeministri.
Ligji, vijoi ai, garanton konkurencë dhe vlerësimi të meritës dhe po ashtu garanton që asnjë i ri apo e re që ka dëshirë të ndjekë universitetin dhe që e meriton ta ndjekë atë të mos pengohet nga varfëria në familje, se është shteti që do të mbështesë të gjithë fëmijët e shtresës së varfër për të kryer me sukses studimet kur ata e dëshirojnë dhe janë të aftë të shpalosin talentet, dhuntitë dhe vullnetet e tyre.
Rama nënvizoi se po ashtu ligji mbështet përmes financimit të shtetit dhe të gjithë ata që janë të shkëlqyer dhe ajka e studentëve. “Ligji siguron financimin e shtetit për të gjitha degët prioritare ose ato që shteti mbron për interes kombëtar e publik, duke nisur nga matematika, anglishtja, albanologjia, etj”, tha kryeministri.
“Është e rëndësishme të theksohet se ligji hap rrugën për ta sjellë Shqipërinë në kohën e re europiane pas 20 vitesh degradimi, zvarritje, kaosi, korrupsioni dhe privilegjesh të pamerituara, për një kastë e cila është financuar nga buxheti i shtetit dhe nuk e ka kthyer kurrë mbrapsht investimin e madh që kanë bërë financimet e shtetit”, u shpreh Rama.
Deklaratat e kryeministrit u bënë për gazetarët, pas një aktiviteti ku u prezantua Deutsche Telekom, kompania e njohur gjermane që sjell për herë të parë shërbimet e saj në Shqipëri.
KOHA JONË SONDAZH

