Artan Fuga: Jemi mbledhur të gjithë buzë Lanës. Pasuritë e mëdha i kemi lënë në dorë të ujqërve të malit, gjarpërinjve e sorrave

Nga Artan Fuga
Tirana e shkatërron jetë e mot Shqipërinë
Ne jemi mbledhur të gjithë buzë Lanës dhe aty i hamë shpirtin, i marrin frymën, i hamë bukën njeri-tjetrit dhe ndërkohë të gjitha pasuritë e mëdha shqiptare i kemi lënë në dorë të ujqërve të malit, të gjarpërinjve, të sorrave, pa përdorim!

Po deshët edhe të shqiponjave të malit, atyre zogjve grabitqarë, jo asaj madhështores të flamurit!
Grumbullimi ynë si minjtë buzë Lanës na lë pa punë, krijon papunësi, krim, ndotje, gjithçka të keqe!
Tani, pse ndodh?

Kujdes lexoni po patët mundësi ekonomistin e madh anglez Rikardo për ta kuptuar, sepse poqe se nuk studion historinë sigurisht që flet në havà!
Nuk është mirë të flasim në havà!
Kujdes! Janë interesa të mëdha që janë në lojë!

E para industria lubi e ndërtimit që do që mundësisht të gjithë shqiptarët nga janë e nuk janë të lënë shtëpi e katandi dhe të mblidhen mundësisht në dy a tre lagje të Tiranës, në kulla pesëqind katëshe sepse shesin apartamentet. Mbushin xhepat duke shkatërruar ekonominë urbane pra jetën tonë!

Por nuk janë vetëm interesat e industrisë të ndërtimit, sikurse thekson Rikardoja në kohën e vet, por edhe grosistët! Tregtarët e mëdhenj nuk duan prodhim vendas, as naftë, as presh, as brekë për fëmijë. Duan t’i sjellin nga jashtë sepse aty fitojnë! Prandaj duan që shqiptarët t’i ikën krijimit të vlerave të punës, të mblidhen në dy-tre zona urbane dhe aty mos kenë kosto të lartë strukturat e shitjeve të mallit! Ikni o do bëni domate ju, domatet i sjell unë me maune!

Kujdes! Nuk janë vetëm këta që duhen vendosur në zap! Janë edhe banka të ndryshme të cilat japin kredi për ata që janë në këto zona urbane dhe jo nëpër fusha e male, sepse këtu i kanë nën kontroll huamarrësit dhe kanë më tepër siguri që u kthehen interesat!

Shikoni pak kush janë huamarrësit më të mëdhenj, në Tiranë gjenden, ata që kanë biznese monopol!
Priiiiisni nuk mbaron me kaq thotë Rikardo! Janë edhe politikanët, pushtetarët, nëpunësit e korruptuar sepse këta marrin parà korruptive nga bizneset për të mos zhvilluar prodhimin, por vetëm tregtinë dhe shërbimet!
Pra ne mblidhemi si minjtë në Tiranë! Tirana shkatërron ekonominë kombëtare sepse mblidhen njerëz që nuk kanë asnjë rendiment pune! Niveli i jetës dhe i rendimentit, pagat shkojnë në minimum! Fitojnë ata aktorë shoqërorë që përmenda.

Fatkeqësia jonë është themeli i pasurimit të tyre dhe i korrupsionit qeveritar! Por, edhe biznesi në fund e pëson, sepse pa klientë çfarë do të shesë! Prandaj kërkon llokma nga buxheti dhe nga pronat publike! Ndryshe pa klientë nuk merr dot frymë! Ja pse ka partneritet publik – privat, për të marrë llokmat e shtetit dhe dhënë privatit! Ndryshe privati pa klientët, që i ka shkatërruar vetë vdes!

Duke i mbledhur njerëzit në Tiranë edhe votat mblidhen më kollaj, edhe propaganda bëhet më kollaj, edhe kontrolli i patronazhistëve bëhet fare i lehtë!

Vetë një lagje e Tiranës që ka një njësi administrative, pra zyra dhe jo të zgjedhur, është sa Roskoveci, Memaliaj, Përrenjasi, Leskoviku, Përmeti, e dreqi me të birin bashkë! Mbarojmë punë shpejt për mbledhje votash!
Pa u shpërbërë ky model, duke hequr kontrollin ndaj shoqërisë nga lobitë monopoliste financiare, dhe nëpunësit e korruptuar, as mos prisni asgjë të mirë!

Jo ti hajdut, jo ti non grata, jo ti spiun, jo ti majmun, jo primare, jo sekondare, janë të gjitha kot!
Demi kapet për brirësh ndryshe do të shkojmë direkt, e kam thënë, në vitin 2050 kështu si jemi, shekulli po mbaron!

Veç ta zhvillojmë pastaj në varreza!
Mos përtoni të më lexoni nëse keni mundësi, kohë dhe interes! Nëse jo, nuk ka asnjë problem! Ja erdhi viti 2050! 2099 është fare afër!

SHKARKO APP