Artan Fuga: Lëreni Tur turpin të ikë, në harresën e asgjësë
Nga Artan Fuga
Më mirë të mos e kujtojmë më tezën e maturës me aventurat e Turit!
Ta quajmë histori të kaluar, ta harrojmë sa më shpejt sepse është turpi i arsimit shqip ndofta që nga shkolla e motrave Qirjazi në Korçë!
Në vend ta harrojë, dikush e kujton përsëri! Çfarë komedie!
Unë nuk merrem më me Turin, turpin! Kam kuptuar që ajo tezë banale, mediokre, aluçinante, nuk është e rastit, por plotëson dy kushteve që janë shumë serioze:
1. Në programin e letërsisë të shkollave të mesme, si në filozofi, ekonomi, psikologji, ka një reduktim të dijes, nxënësve u mësohen dije që janë ndofta për tetëvjeçare, cikli i ulët. Meqë kështu, sigurisht që nuk ka se çfarë teze të bëjnë se i kanë lënë nxënësit pa dije sikurse provohet më tej pastaj. Prandaj pyetjet iu ngjanë basteve: Ku do ulet miza që fluturon atje tej? Po e gjete ke dhjetë, po nuk e gjete ke nëntë!
2. Me ato teza surrogato me Turin, turpin, u jepet mundësia edhe nxënësve mesatarë ose shumë të dobët, ose nxënësve të privilegjuar si fëmijë pushtetarësh, ose militantësh lokalë partiakë, të konkurrojnë si të shkëlqyerit. Tur ju, Tur ne!
Pra teza me Tur, turpin, që ta harrojmë sa më parë, nga pikëpamja sociologjike është shumë e kuptueshme. Ka një sociologji të injorancës, sikurse ka sociologji të budallallikut, sociologji e shkollës, sociologji e privilegjeve, etj. Janë shkenca më vete!
Ne duam ta harrojmë Tur, turpin, Turi na e kujton përsëri. Na thotë se atë tezë e kanë përgjigjur saktë 12 mijë maturantë!
Si është e mundur që na duhet të bëjmë edhe sociologji të tralalalasë! Po çfarë quan të saktë si përgjigje? Se nëqoftë saktësi quhet ajo që është e gabuar, ata që përgjigjen kot e më kot quhen se kanë dhënë përgjigje të saktë. Ky është pikërisht krimi i Tur, turpit. Jo thjesht te ajo tezë që shpreh të gjithë tragjizmin e dijeve të padhëna në shkollë, por edhe sepse shkolla në një test shtetror u mëson nxënësve që atë që e thonë gabim t’ua quajë të saktë dhe atë që është e saktë t’ua quajë gabim. Ky është krimi, maskarallëku, injoranca, turpi i Turit! Përmbys vlerat, të saktën e quan të gabuar dhe të gabuarën e quan të saktë!
Ky është krimi yt o Turr mbi rininë shqiptare!
Se nëse për shtetin kur 2 + 2 = 5, të gjithë ata që thonë se 2+2 = 4 e kanë gabim. Drejt e kanë ata që ja fusin kot! O sociologjia e kotësisë!
Pa na trego pak sesi ata që sipas teje o Turr e kanë pasur gabim, dhe që u është ngrënë haku!
Dhe kush shan Tur turpin nuk paska formimin e duhur, si ai që formon Tur turpi i botës dhe i arsimit shqiptar!!!
Fyen kritikët që kanë vite shkollimi dhe pune në shkencë dhe arsim ndofta sa dyfishi i moshës së vet!
Ik Tur turpi, sociologjia e kotësisë, sociologjia e karrikes prej druri, sociologjia e asgjësë që fryhet bosh, sociologjisë injorancës pa fund!
Nuk ke faj ti!
Lëreni Tur turpin të iki në harresën e asgjësë, mos na e kujtoni më, atë idiotësi, atë thagmë, atë lemeri, atë test se me çfarë i mbushin kokën rinisë sonë njerëz të papërgjegjshëm, lëreni Turin të iki me turpin e vet, ata që mbesin do kenë llogari të rënda për të dhënë!
Historia do e bëjë punën e vet!
Hera e parë që në historinë njerëzore dolën nxënës në demonstratë spontane për të protestuar kundër budallallikut. Kemi parë lloj lloj demonstratash dhe revoltash rinore, por si ajo kurrë. Por, janë të mirë të rinjtë, janë konformistë prindërit e tyre, sepse të kishte ndodhur ajo në Berlin, Paris, Romë, Londër, a Tanganikë, nuk do të kishte mbetur më xham pa thyer, pemë pa shqyer, trotuar pa gërryer për të denoncuar injorancën mpleksur me maskarallik që vjen kur politika bën që asgjëja të ketë guximin të thotë: Fluturon, fluturon gomariiiiiiiiii! Dhe një tufë me idiotë ngrenë dorën unanimisht!
Lëreni Tur turpin që gjoja të iki, në fakt e kanë flakur nga varka në kanione, se Turi vetë nuk ka dhënë shenja ikjeje, sikur të ikte atë ditë, harrojeni Turin që u bë gazi i botës në çdo pijetore, birrari, në kafene, cep lagjeje, ku çdo hokatar i thotë dikujt: Mos fol si Turi!
Lëreni Turr turpin, harrojeni!