Artan Hoxha: Beteja Presidenciale për kushtetutshmërinë e zgjedhjeve
Nga Artan Hoxha –
Presidenti Ilir Meta nisi betejën e radhës kundër Qeverisë së Rilindjes. Kësaj here kundër shkeljes së Kushtetutës me ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor me 5 tetor 2020, njëanshmërisht e në shkelje flagrante të marrëveshjes së arritur me 5 qershor 2020 mes Qeverisë së Rilindjes (me në prehër të ashtuquajturën Opozitë Parlamentare) nga njëra anë dhe Opozitës Jashtëparlamentare nga ana tjetër.
Ndryshimet e 5 tetorit 2020 u paraprinë nga ndryshimet e Kushtetutës nga Kuvendi monisto-karagjoz me 30 korrik 2020. Procesi i ndryshimit të Kushtetutës nisi zyrtarisht që me 15 qershor 2020, një javë përpara përfundimit de jure të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, (që de facto vijoi e vijon), haptazi në kundërshtim me nenin 177/2 të vetë Kushtetutës që përcakton se “Asnjë rishikim i Kushtetutës nuk mund të ndërmerret gjatë kohës kur janë vendosur masat e jashtëzakonshme”.
Presidenti e konstaton anomalinë, e argumenton, e kundërshton. Mjafton edhe kaq që Presidenti të fitojë ndeshjen e katërt kundër Qeverisë së Rilindjes në Komisionin e Venecias. Tre pararendëset i ka fituar qartë, thellë, bindeshëm. Për turp të Qeverisë, hall i Shqipërisë.
Presidenti konstaton qartazi ndryshimet konkrete të Kodit Zgjedhor të 5 tetorit 2020 që modifikojnë njëanshmërisht ndryshimet konsensuale të Kodit Zgjedhor të 23 korrikut 2020, këto të fundit bazuar në marrëveshjen konsensuale të 5 qershorit 2020.
Në dokumentin analitik të Presidentit, që argumenton mosdekretimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor me 5 tetor 2020 nga Kuvendi, evidentohen nenet 67 dhe 164 të Kodit zgjedhor, nene të cilat, kur u ndryshuan konsensualisht me 23 korrik 2020, pranonin koalicionet zgjedhore ku secila parti përbërese kishte listën e vet të kandidatëve e që, kur u rindryshuan me 5 tetor 2020, nuk lejojnë më që partitë përbërese të një koalicioni të kenë listë të veçantë por detyrimisht një listë të përbashkët përndryshe, të garojnë më vete.
Cilido që përsërit refrenin rilindës se as 30 korriku 2020 i ndryshimeve kushtetuese as 5 tetori 2020 i rindryshimeve të Kodit Zgjedhor nuk cënojnë marrëveshjen e 5 qershorit 2020 dhe produktin e saj, ndryshimet e 23 korrikut 2020 të Kodit Zgjedhor, bën mirë të hapë sytë e të lexojë argumentimin shterrues të Presidentit.
Ndërkaq, tam-tam-it propagandistik rilindës të hapjes së listave, pra garës medemek të hapur mes kandidatëve, Presidenti i vë përballë absurditetet e Kodit të ndryshuar Zgjedhor me 5 tetor 2020, siç është absurdi që individët garues nuk gëzojnë as të drejta financimi gare e as të drejta ankimi për rezultatin individual të garës e se këto të drejta i gezojnë dhe mund t’i ushtrojnë vetëm partitë përkatëse. Me fjalë të tjera, hapja de jure e listës në një nen mbyllet edhe de jure në një tjetër nën ndonëse de facto janë që janë të mbyllura.
Presidenti gjithashtu konstaton, argumenton dhe kundërshton disa probleme të tjera të Kodit Zgjedhor të ndryshuar me 5 tetor 2020 që cenojnë rëndë barazinë e shanseve të subjekteve zgjedhore, barazinë e peshës së votës dhe sigurinë juridike. Partitë e vogla masakrohen, kandidatët e pavarur praktikisht asgjësohen ndërsa krijohet pabarazi e theksuar në peshën e votës mes kandidatëve të koalicioneve apo partive kundërshtare, mes atyre të partive të ndryshme brenda një koalicioni e deri tek kandidatët brenda të njëjtës listë të një partie. Pabarazi mes kandidatëve do të thotë njëherazi pabarazi e shanseve të zgjedhësve dhe e votës së tyre. Llahinkat që janë ankuar pa reshtur ndër vite për pabarazitë e pretenduara të kodit të vjetër duhet të shkulin floket e të çjerrin faqet me ndryshimet e 5 tetorit 2020. Për turp të tyre as që po bëzajnë. Gëk e sus.
Për këto e shumë çeshtje të tjera, për të cilat ia vlen të lexohet materiali i plotë, Presidenti konstaton dhe argumenton se ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor me 5 tetor 2020 e vënë atë në kundërshtim me Kushtetutën, qoftë edhe pas ndryshimeve të saj, njëanshmerisht, me 30 korrik 2020.
Shqipëria pa Gjykatë Kushtetuese si kisha pa këmbanë. Ndaj Presidenti, gjithçka që do t’ia kishte parashtruar Gjykatës sonë Kushtetuese ia parashtron tashme Komisionit të mirënjohur të Venecias, atje ku për këmbanat që bien ka gjithnjë veshë që dëgjojnë e ku kurrë s’mbeten pa këmbanë.