Artan Hoxha: Hajde banane Ekuadori, të freskëta, të ëmbla taze, si t’i doni…!

Nga Artan Hoxha-
Hajde banane Ekuadori, të freskëta, të ëmbla taze, si t’i doni. Eh si e solli çarku, nga “agronom kanabisi” në fushat dhe kodrat e Shqipërisë, një ditë të bukur të transferojnë me punë “merceolog frutash ekzotike”, me liçencë ndërkombëtare. Po numëroj arkat, se nuk po biem dakord sa arka na kanë vjedhur ata “trimat” e Selfo Qorrit në portin e Durrësit. “Beso e kontrollo”, thotë populli. Dhe si u kam thënë edhe në fundin e dhjetorit të kaluar, një arkë e humbur me peshë standart 19 kg banane, rezultoi të kishte brenda 17 kg kokainë me cilësi mbi 90% dhe vetëm 2 kg banane persipër për dekor.

Më 29 dhjetor 2021 në magazinën e “banana king” në Vaqarr, u kapën 7 arka, herë 17 kg kokainë secila, plot 119 kg kokainë me pastërti kristali nga Ekuadori. Por në port kishin humbur edhe 106 arka të tjera, herë 17 kg kokaine secila, plot 1802 kg kokainë që avulluan si me magji. Në total ngakesa e dhjetorit ishte 1802+119 = 1921 kg kokainë.

Ndërsa më 16 korrik 2022, rezultojnë të zhdukura plot 60 arka me banane me peshën standarte. Për te njëjtën kompani dhe të vendosura në të njëjtën mënyrë si në rastin e dhjetorit, jo në trupin apo paretet anësore të konteinerit, por direkt në ngarkesen me banane.

60 arka herë 17 kg kokainë shkojnë në total 1020 kg “mall” i pastër Kristal, shumëzim çmimin e shumicës (25 mijë euro) nga porti deri në magazinën e sigurtë, që ka pësuar një renie të lehtë këto kohët e fundit, pasi nuk ka bord transparence qeveritar, që ta rrisë çmimin, shkojnë plotë 25.5 milionë euro.

Dhe nëse kjo sasi del në rrugë me pakicë, me çmim për gramë besoj e kuptoni që shumëzohet me 3 deri 4 herë. Qejf o qejf o qerrata. Dhe ju thoni pse nuk duhet të ketë amnisti fiskale? Të ketë more, se ka para për të tërë.

SHKARKO APP