Artan Lame, kritika punonjësve të Kadastrës: Mos merrni veten në qafë!
Kreu i Agjencisë Kombëtare të Kadastrës Artan Lame ka prezantuar sot raportin për ecurinë e punës në Kadastrës Shqiptare.
Lame tha se janë dhënë 1 milion e 500 mijë shërbime gjatë vitit 2022 dhe se koha mesatare e dhënies së shërbimit ka qenë 21 ditë, sipas tij rënie drastike e kësaj kohe.
Duke iu drejtuar punonjësve të Kadastrës ai tha se çdo lëvizje e bërë në sistem lë gjurmë dhe apeloi “mos merrni veten më qafë”.
“Qytetarët shqiptarë mund të shkojnë t’i djegin arkivat e pronave dhe nuk ndodh asgjë, sot po shkon drejt grumbullimit në server, heqja dorë e arkivave fizike. Por shkon drejt fundit procesi i skanimit dhe dixhitalizimit të arkivave. Sistemi është e vërtetë që është i vjetër, po ndërtohet sistemi i ri, që s’ka lidhje me sistemin e vjetër. Do kemi sistem elektronik të ri për Kadastrën, deri tani i kemi shpëtuar hakerave”, tha ai.
Sa i përket ndërtimeve pa leje në Shqipëri, Lame theksoi se do duhet që herë pas herë “t’i bien me dru pas koke personave që shkelin ligjin, që ta kuptojnë se s’duhet ta bëjnë këtë gjë”.
“Sa i përket pallateve të sekuestruara, ata që u janë bërë sekuestro nuk janë dakord. Në Shqipëri herë pas herë do duhet fizikisht, jo vetëm me tabelë, të të bien pas koke me dru që të kuptosh se nuk duhet ta bësh atë gjë, ndërtimin pa leje.
Është e drejta e shtetit që herë pas here të ta kujtojë. Ka pasur ulja drastike të shkeljeve në ndërtime”, tha Lame.