Artan Lame: Po të mos bëj legalizime më bërtet Rama, po të bëj më bërtet Basha
Partia Demokratike është sulmuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Shqiptare, Artan Lame, për kallëzimet penale të kryera në drejtim të këtij institucioni për përdorim politik të lejeve të legalizimit, gjatë periudhës zgjedhore.
“Ne kemi zgjidhur problemet e pronës dhe nuk kemi ndikuar në orientimin e votës”. Këto deklarata Lame i ka bërë nga xhamia e Lushnjes, së cilës i dorëzoi certifikatën e legalizimit të objektit dhe pronësisë së truallit. “18.700 certifikata janë dhënë për tokat bujqësore”, theksoi Lame, “dhe nuk mund të akuzohemi pse kemi zbatuar ligjin”. “Në Lushnje ne jemi sot (dje) për një element shumë të veçantë, për të dhënë lejen e legalizimit dhe tapinë e godinës të pronësisë Xhamisë së Lushnjes. E kishim përgatitur që përpara zgjedhjeve, por në atë batërdinë e atyre ditëve që u sulmuan ngado që po përdoret për zgjedhje, që ky institucion po përdoret në funksion të zgjedhjeve, thamë më mirë ta lëmë pas zgjedhjeve dhe e lam për sot që është një ditë e shënuar fetare. Nga ana e PD, mbi 20 raste janë bërë denoncime në prokurori për përdorimin e institucioneve të Kadastrës për zgjedhjet. Është rasti i parë në histori që një institucion denoncohet në prokurori sepse kryen detyrën. Kadastra ka dhënë shërbime, certifikata legalizimi dhe certifikata bujqësore në të gjithë muajt e vitit, thjesht ka bërë detyrën e vetë. Siç thotë populli:”Unë i ziu me dy pleq kujt t’ja prish e kujt t’ja ndreq”. Po të mos bëj normën më bërtet Edi Rama, po të bëj normën më bërtet Basha, nuk e di se si të veproj! Përtej kësaj, më çudit fakti që PD u fokusua të çështja e legalizimeve ndërkohë që Kadastra nuk ka pasur në fokus kryesor legalizimet, por certifikatat e tokës bujqësore”, u shpreh Lame.
Në ditët në vijim, sipas Lames, Kadastra do të vazhdojë punën për legalizimin e pallateve të braktisura dhe tokave bujqësore. Vendimin për miratimin e lejes së legalizimit Lame ia dorëzoi kreut të xhamisë së Lushnjes, Gramos Bllikut, duke i uruar edhe festën e Fitër Bajramit: “Qoftë për 1000 vjet e juaja!”.