Astrit Patozi: Edi Rama po na thotë “të kemi shëndetin!”
Nga Astrit Patozi –
“Edhe po nuk u hapën negociatat me BE, dielli do të lindë prapë në Shqipëri nesër”, na paralajmëroi para dy ditësh timoneri i kaikes sonë direkthyer. Mund të shtoje aty pa merak fare se asgjë nuk ka për të ndryshuar në Tiranë edhe sikur nesër t’ia kërcasë shiu.
Është njësoj si ata kryefamiljarët problematikë, që pasi kanë katranosur gjithçka, me pije, bixhoz dhe vese te tjera, u thonë fëmijëve dhe të tjerëve të mos mërziten, se shyqyr që kanë shëndetin.
Ndërkohë në Maqedoninë fqinje, i zoti i punës, me shumë më pak përgjegjësi se sa kryeudhëheqësi ynë, nuk priti që të gdhijë e nesërmja për të parë se si do të ishte koha, por dorëzoi çelësat.
Nuk ia vlen fare të krahasosh historikun e të dy vendeve dhe as rrugëtimin e tyre të ndryshëm drejt Brukselit, sepse edhe kaq është shumë për të njohur diferencën.
Sepse në Shqipëri, ata që kanë pushtetin kanë krijuar bindjen dhe keqkuptimin se do të jenë prapë në krye, në të gjitha rastet, si kur është diell, ashtu edhe kur bie shi.
Dhe në rast se kjo situatë nuk do të ndryshojë, askush nuk mund të justifikohet më se ky është mallkimi ynë i parashkruar dhe se për t’u zhbllokuar duhet të presim duke i mbajtur sytë nga qielli.