Astrit Veliaj: Reforma nuk bëhet me blerje dhe kapje deputetësh
Deputeti i PD-së, Astrit Veliaj në një prononcim për “Koha Jonë”, shprehet se: ”Në takim me Ambasadorin Lu do flas për këndvështrimet e opozitës”.
Redjon Shtylla
Reforma në Drejtësi kalon vetëm përmes konsensusit dhe partitë kryesore vetëm në këtë mënyrë mund të dakordësojnë një reformë me më shumë se 94 vota të kërkuara. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe deputeti i PD-së, Astrit Veliaj, i cili në një prononcim për “Koha Jonë”, ka komentuar ftesën e Ambasadorit Lu për takime individuale me deputetë demokratë, që edhe ai personalisht i sheh në funksion të reformës dhe është i hapur për të diskutuar çdo problematikë që ka opozita. E ndërsa për një takim mes tij dhe diplomatit të huaj, Veliaj thekson se kjo mund të realizohet gjithmonë nëse do të ketë një ftesë nga ana e Ambasadorit, e cila do të ketë një përgjigje pozitive nga ana ime, u shpreh më tej Veliaj. Ai mbështeti idenë se në fakt edhe pse shihet si një reformë e cila përgjatë një viti u punua shumë, sot jemi përpara vendim për ta miratuar atë punë me sfida dhe sakrifica dhe nuk duhet të shkojë dëm, pasi nuk është vetëm një prioritet kombëtar, pohoi ai. Në lidhje me këtë, Veliaj shton se: “Reforma në drejtësi është një prioritet i politikës shqiptare, partnerëve ndërkombëtare dhe Partisë Demokratike. Të ndërgjegjshëm për rëndësinë e saj, ne kemi dhënë prej rreth një viti një kontribut të vyer në krijimin e një kornize ligjore, ku do funksionoje një drejtësi e pavarur”,– deklaroi deputeti demokrat.
Prej disa javësh, opozita ka treguar se nëse deri më 21 korrik, ajo nuk do të jap një vendim pro draftit final të Reformës, për të cilën kërkohet votimi në kuvend me 94 vota, ajo do të djegë mandatet. Këto deklarata lidhen me faktin nëse trafikohet apo blihet një votë e deputetëve demokratë. Në të njëjtën linjë si grupi, qëndron edhe deputeti Veliaj, i cili për pyetjen se nëse ky është një kërcënim i opozitës, është shprehur se një reformë kaq e rëndësishme si kjo nuk duhet të arrihet përmes blerjes dhe shantazhimit të deputetëve. “Themelet e drejtësisë nuk mund të hidhen mbi mazhoritete rastësore dhe kapje deputetësh. Në Shtetet e Bashkuara, një nen kushtetutë ndryshon kur votojnë 2/3 e Kongresit dhe mbasi me referendum miratohet në 75% të shteteve. Kjo krijon një legjitimitet popullor dhe politik të gjerë, që i jep forcë implementimit të ligjeve dhe reformave revolucionarizuese, të jetës institucionale dhe shoqërore”,– komentoi Veliaj.
Por çfarë e mban opozitën larg votim pro të draftit final të Reformës? Opozita është kapur tek rekomandimi 88 i Komisionit të Venecias, i cili sugjeron që, në qoftë se nuk arrihet konsensusi për mënyrën e zgjedhjes së institucioneve drejtuese të drejtësisë, të krijohet një formulë përfaqësimi proporcional të partive në to ose të krijohet një mënyrë sesi opozita të ketë ndikim në procesin e përzgjedhjes.
Gjatë takimeve të komisionit të posaçëm, Veliaj shton se gjatë mbledhjeve, palët politike kanë arritur që përmes një komunikimi, të arrijnë në një përputhje të qëndrimeve të përbashkëta, lidhur kjo për pjesën më të madhe të çështjeve. Veliaj, theksoi se ajo që e ndan opozitën dhe maxhorancës është një pjesë e vogël, që edhe për këtë ai shprehet optimist, duke shtuar se përmes një dialogu, gjithçka do mund të zgjidhet. “Opozita dhe mazhoranca, ndahet për një pjesë shumë të vogël të reformës por nëpërmjet mekanizmave të dialogut, mund të gjet një konsensus”, deklaroi Veliaj. Duke ju rikthyer takimeve individuale që ka pasur Ambasadori Lu, ai është shprehur se: “PD-ja përfaqëson vlera të qytetarisë dhe nuk bie dakord me politikat e qeverisë. Nga kontaktet personale që kemi është krijuar përshtypja se vota pro Reformës është një votë pro Ramës. Unë si deputet jam në një linjë me qëndrimin e PD-së. Këto këndvështrime i kam paraqitur por edhe do ti paraqes në qoftë se realizohet një takimin me ambasadorit Lu, nëse ai do të kërkojë të takohet personalisht me mua si deputet”,- pohoi deputeti Astrit Veliaj.
Thirrja që ka deputeti demokrat është për një vullnet, ku aktorët politikë të gjejnë gjuhën e konsensusit, pasi vetëm në këtë mënyrë reforma kalon. Lidhur me këtë, opozitari bëri të qartë qëndrimin se përse opozita ende nuk ka dhënë votën pro, për draftin final e sipas tij kjo është sepse: “Partia Demokratike ka një argument në frymën e Komisionit të Venecias dhe eksperteve ndërkombëtarë, që duhet marrë në konsideratë. Partnerët tanë duhet ta inkurajojnë dhe lehtësojnë arritjen e këtij kompromisi”,– pohoi ai. Ajo që mbetet për tu parë është nëse gjatë ditëve në vijim, opozita do të mund të ulet në një tavolinë me maxhorancën edhe pse në bazë të takimit të fundit, një konsensus i opozitës me maxhorancës është pak i pamundur por ndërkombëtarët si dhe vetë deputetë të opozitës, shprehen se rruga e vetme që vota të pa blera të deputetëve demokratë, është gjetja e një konsensusi sepse siç është shprehur dhe deputeti Veliaj, janë disa çështje të vogla që e mbajnë larg opozitës. Më tej ai u shpreh, se nuk vjen sepse opozita nuk dëshiron një reformë por ajo që nuk synon opozita është kapja politike, të cilët Kryeministri Rama po e dëshmon, tha deputeti demokrat.
I pyetur se nëse nuk arrihet konsensusi, a duhet të votojnë personalisht deputetët reformën? Në gjykimin e dhënë, sipas deklaratës Veliaj shprehet se:“Personalisht inkurajoj gjetjen e konsensusit të gjerë politik dhe të një vote unanime në parlament. Politika e faktit të kryer nuk është zgjidhje, por nxitëse e konfliktualitetit dhe polarizimit politik. Besoj tek maturia e lidershipit tonë politik dhe aftësia e tij për t’i kaluar me konsensus reformat e mëdha të transformimit të vendit”.
DEKLARATA
“Palët politike kanë arritur një përputhje të qëndrimeve për pjesën më të madhe të çështjeve dhe ndahen për një pjesë shumë të vogël të reformës. Besoj se me vullnet, aktorët politik, do gjejnë gjuhën e konsensusit. Partia Demokratike ka një argument në frymën e Komisionit të Venecias dhe ekspertëve ndërkombëtarë, që duhet marrë në konsideratë. Partnerët tanë. duhet ta inkurajojnë dhe lehtësojnë arritjen e këtij kompromisi. Ne na duhet një mazhoritet i gjerë për të kaluar reformën dhe ndryshuar kushtetutën, dhe kjo nuk duhet të arrihet përmes blerjes dhe shantazhit të deputetëve. Themelet e drejtësisë nuk mund të hidhen mbi mazhoritete rastësore dhe kapje deputetësh. Personalisht inkurajoj gjetjen e konsensusit të gjerë politik dhe një vote unanime në parlament. Politika e faktit të kryer nuk është zgjidhje, por nxitëse e konfliktualitetit dhe polarizimit politik. Besoj tek maturia e lidershipit tonë politik dhe aftësia e tij për t’i kaluar me konsensus reformat e mëdha të transformimit të vendit”,- u shpreh deputeti Astrit Veliaj.
KOHA JONË SONDAZH

