Atentat në mesnatë në autostradën Tiranë-Durrës
Policia njofton se më datë 03.04.2022, në autostradën Tiranë-Durrës, përballë DHL-së, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar me armë zjarri drejt një automjeti tip “Land Rover” dhe si pasojë ka ndërruar jetë drejtuesi i mjetit, ende i paidentifikuar.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po vijojnë krehjen e zonës me qëllim kapjen e autorit/ëve.
Në bashkëpunim me DVP Durrës, Elbasan e Lezhë janë ngritur menjëherë pika kontrolli në rrugët interurbane.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për fiksimin e çdo prove të vlefshme që mund të çojë në identifikimin e autorëve.
Ngjarja sipas mediave:
Një person rreth 37 vjeç i identifikuar si Iljaz Cali ka mbetur i vrarë gjatë mbrëmjes së sotme (e dielë) në rrugën dytësore të autostradës Tiranë- Durrës.
Ndaj automjetit të viktimës, banor i fshatit Rinas i Ri, është qëlluar nga një automjet tjetër i cili ishte në lëvizje.
Mësohet se ndaj makinës së viktimës është qëlluar rreth 100 metra në lëvizje, derisa automjeti tip Land Rover është përplasur me bordurën.
Makina e viktimës ka targat AB 998 AS. Burimet bëjnë të ditur se makina rezulton se është marrë me qira në Rinas, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia që në mjet të ketë qenë edhe një person tjetër, për shkak se dera e pasagjerit ka qenë e hapur.
Fillimisht policia dyshoi se i riu ka pësuar aksident, pasi trupi i tij është gjetur i shtrirë në rrugë. Por teksa ka inspektuar gëzhojat, ka dalë në përfundimin se ndaj tij është bërë atentat.
Ndërkaq, Iliaz Cali nuk rezulton një emër i panjohur për policinë. Më dy korrik të 2016-ës, pas grabitjes së parë të parave në Aeroportin e Rinasit, policia ka ushtruar kontroll në të gjitha banesat. Teksa ka kontrolluar banesën e Calit, ka gjetur 682 rrënjë kanabis. Policia për këtë rast vuri në pranga Xhemile Calin si dhe shpalli në kërkim djalin e saj Iliaz Calin, i cili u arrestua më vonë.
KOHA JONË SONDAZH

