Atentatet me eksploziv, reagon BE dhe SHBA: Mbështesim forcimin e shtetit ligjor

 

Lidhur me shpërthimet e sotme me tritol në kryeqytet ka reaguar edhe Bashkimi Europian si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në të dy deklaratat dënohen këto sulme, ndërsa shprehet inkurajimi për institucionet në rrugën e tyre drejt konsolidimit të shtetit ligjor në Shqipëri.

Deklarata e Delegacionit të BE në Tiranë.

“Delegacioni i BE-së në Shqipëri është i tronditur nga shpërthimet e sotme dhe i dënon ato pa rezerva. Ne nënvizojmë mbështetjen tonë të fuqishme për forcimin e shtetit ligjor, pa kompromis. Ne besojmë se autorët e krimit do të dalin para drejtësisë dhe presim që të gjitha forcat politike të bashkohen për ta mbështetur këtë synim. Ne presim sjellje dhe ligjeratë të përgjegjshme nga të gjithë ata që marrin pjesë në jetën publike, sidomos për çështjet e shtetit ligjor, në funksion të interesave kombëtare të Shqipërisë.”

Deklarata nga ambasada e SHBA në Tiranë.

“Ambasada e SHBA dënon me forcë përdorimin e eksplozivëve në sulme të veçuara sot në Tiranë. Përdorimi i dhunës si mjet kanosjeje dhe trysnie është një akt burracak që minon demokracinë dhe nuk ka vend në Shqipërinë e sotme. Ambasada e SHBA është krenare të vazhdojë mbështetjen e saj afatgjatë për Ministrinë e Brendshme, Policinë dhe të tjera shërbime të sigurisë të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të narkotikëve dhe korrupsionit.”

SHKARKO APP