Atentatet me tritol, Braçe: Përgjigja e krimit ndaj një qeverie të vendosur kundër tij
Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe deklaroi sot se ngjarjet e ndodhura mëngjesin e sotëm përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë e jetës dhe të pronës së çdo qytetari.
"Që prej nisjes së punës së kësaj qeveri, – tha Braçe, – ndjekja, gjurmimi, identifikimi, hetimi e goditja e aktiviteteve kriminale të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, akiviteteve kriminale të trafikimit të qënieve njerëzore, armëve dhe municionave, akteve ordinere të grabitjes me dhunë të pronës e pasurisë së qytetarëve si pasojë e këtyre veprimtarive kriminale kanë qënë prioritet absolut i kësaj qeverie".
Sipas tij, si rezultat i punës së qeverisë në këtë drejtim kanë ardhur të dukshme rezultatet e panjohura më parë që dëshmojnë shkuljen nga plantacionet e kultivimit të drogës nga më të mëdhatë në Europë, si dhe shkuljen e laboratorëve jetëgjatë modern të përpunimit të saj.
"Aktet e sotme terroriste në Tiranë, – vijoi më tej Braçe, – janë përgjigjia e krimit të organizuar kundër një qeverie të vendosur qartë dhe pa kthim kundër tij".
Por sipas tij, kjo betejë për rivendosjen e ligjit e rendit jo vetëm përballë krimit të organizuar, por edhe përballë paligjshmërie që për vite të tëra e ka vendosur shoqërinë tonë në një gjendje kaosi pandëshkueshmërie e konflikti, pabarazie e pandershmërie dhe sfide ndaj shtetit publik ligjor e të së drejtës kanë sot një kundërshtar frymën politike në mbështetjetë krimit dhe paligjshmërisë së dukshme.
Braçe i bëri thirrje prokurorisë të hetojë me profesionalizëm dhe të japë sa më parë rezultate.
“Familjarët e Ministrit të Brendshëm, që është qartësisht në krye të kësaj beteje, të goditur sot janë rasti i parë unik kur fryma politike në mbështetje të krimit të organizuar e terrorizmit cakton shënjestra njerëzore në funksion të terrorit ndaj një shoqërie të tërë”, tha Braçe.