Atentati ndaj prokurorit, flet babai i shoferit të vrarë: SPAK të arrestojë autorin tjetër ose do marr gjakun e tim biri
Pasi kanë kaluar pak muaj nga atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoji, ku mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku, babai i këtij të fundit kërkon drejtësi nga SPAK.
Babai i të ndjerit i ka bërë thirrje SPAK që të hetojë dhe t’i sqarojë se pse iu vra djali.
“Im bir 2 muaj pune si shofer i prokurorit Ndoj. Prokuroria ka videot e ngjarjes dhe nuk arreston atentatorin tjetër. Prokuroria te veproje ndryshe do e marr vete gjakun e tim biri”, u shpreh Genc Maloku, babai i të riut. Më tej ai tregoi se kishte takuar deputetin e opozitës Halit Valteri dhe i kishte treguar kamerat e sigurisë.
“Unë kam videot dhe i kërkova ndihme deputetit Valteri qe te ngrejë zërin. Videot i kam siguruar privatisht, SPAK te veproje”,- pohoi ai.
Rikujtojmë se atentati u bë më 1 nëntor të vitit 2019, ku prokurori Ndoji lëvizte në makinë me Pëllumb Muharremin, i njohur si Rrumi i Shijakut, dhe që është një personazh i njohur i botës së krimit, si dhe shoferin e tij, Andi Maloku, që ndërroi jetë në spital.