Atletet e Ramës bëjnë bujë në mediat e Maqedonisë së Veriut
Kryeministri Edi Rama ka qenë lajm i parë në mediat e Maqedonisë së Veriut. Jo për deklaratat dhe as për marrëveshjet që do nënshkruaj me presidentin e Serbisë, por për atletet e kombinuara me kostumin klasik.
“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka mbetur i qëndrueshëm në stilin e tij që nga takimi i fundit. Edhe sot ai u paraqit në një takim trepalësh me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev dhe Presidentin serb Aleksandar Vuçiç me atlete të zeza Adidas dhe një kostum të errët”,- shkruajnë mediat maqedonase.
Dhe në korrik 2017, në samitin e Triestes, kryeministri shqiptar u paraqit me një kostum dhe atlete të bardha. Gjatë atij samiti, ai pati takime me Presidentin Francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev. Kryeministri i dhuroi edhe një palë atlete presidentit të Francës.
Kreu i qeverisë vijon të jetë në qendër të vëmendjes për modën që ndjek dhe stilin e veshjes. Ndërkohë Shqipëria, në mediat ndërkombëtare, veç atleteve të Ramës përmendet për krimin e lartë dhe për azilantët që ikin nga sytë këmbët nga vendi.