Ato që nuk thotë Dashamir Peza për darkën Rama-Blushi

 

“Ishte një darkë mes miqsh”. Janë fjalët e deputetit të Partisë Socialiste Dashamir Peza i pyetur për atë që ndodhi mbrëmjen e së hënës në restorantin e tij “Il paese” ku përveç Pezës u mblodhën në një tavolinë kryeministri Rama, deputetët Ben Blushi, Bashkim Fino, Saimir Tahiri dhe Blendi Klosi. Në një prononcim të dhënë për gazetën “Panorama”, Peza e gjen të pavend jehonën që është bërë për këtë darkë. “Nuk munden deputetët e një grupi parlamentar të hanë një darkë bashkë pa thurur intriga?” – ka thënë Peza. Sipas tij ky darkë ishte planifikuar që më shumë se dy muaj më parë, por për shkak të axhendave të ngjeshura nuk ishte bërë i mundur takimi. Peza thotë se kjo darkë nuk kishte aspak lidhje me kritikat e fundit të Blushit lidhur me reformat në qeveri dhe nuk ishte një tentativë pajtimi midis Blushit dhe Ramës. Ai shtoi se gjatë mbrëmjes nuk është folur aspak për tema politike.

 

Ato që nuk thotë Peza

 

Por darka nuk duket të ketë qenë kaq e relaksuar dhe miqësore. Lapsi.al u interesua dhe mësoi se ky takim nuk ishte thjesht një darkë mes kolegësh pas pune, pasi aty është folur edhe për politikë dhe nga Blushi ka patur kritika për punën e qeverisë dhe reformat që trumbeton kryeministri. Deputeti socialist ia ka shprehur edhe në sy kryeministrit se aksionet e ndërmarra nga qeveria nuk janë “reforma” por “masa” që po godasin shtresat e pambrojtura. Këto kritika Blushi i ka shprehur edhe publikisht. Blushi ka shkuar edhe me tej kur i ka thënë Ramës se asnjë prej ministrave nuk i ka përmbushur pritshmëritë, duke veçuar këtu ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli. Në gjithë këtë debat lapsi.al mësoi se ka ndërhyrë deputeti Blendi Klosi që ka tentuar të ulë tonet e bisedës. “Edhe ti mos u mpreh kot, se nuk të bën njeri Kryetar Bashkie”- mësohet t’i jetë drejtuar Blushi, Klosit pas tentativës së tij për t'i dalë krah Ramës. Darka duket se nuk i ka pajtuar Ramën dhe Blushin derisa të dy janë larguar pa i dhënë dorën njëri – tjetrit. Këto janë disa nga momentet kulminante të darkës, që deputeti Dashamir Peza përpiqet t'i fshehë, në tentativë për të treguar sipas variantit të tij atë çfarë ndodhi në Pezë. Rama e Blushi në fund janë larguar edhe pa i dhënë dorën njëri – tjetrit, pas "darkës mes miqsh" për të cilën flet Peza.

SHKARKO APP