Audio përgjimi i Artan Lames. SPAK: Do e verifikojmë
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK tha të martën se do të verifikojë një audiopërgjim të publikuar nga gazetari Artan Hoxha, ku drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame dëgjohet të rekomandojë që të mos u kthehet përgjigje pronarëve të 100 mijë objekteve informale që nuk plotësojnë kushtet për legalizim, pasi mund të kalojnë me palën tjetër.
Në audiopërgjim, Lame përmend edhe një takim me kryeministrin, ndërsa lë të kuptohet se vetëm 60 mijë legalizime mund të bëhen, ndërsa pjesa tjetër prej 100 mijë objektesh janë të pabëshme.
“…të tjerat janë të pabëshme ose që nuk duhen bërë se janë kriminale, që do të thotë që në këtë moment na dalin rreth 100 mijë leje, 100 mijë objekte, të cilët ne me vetëdije do vazhdojmë t’i mbajmë, se janë njerëz, po i the që nuk të bëhet ia hodhe palës tjetër, u bënë mish për top për palën tjetër…,” dëgjohet të thotë Lame.
“…logjika është që ne do vazhdojmë ta mbajmë situatën varur për këtë pjesë, pra do vazhdojmë të bëjmë këtë 60 mijëshe dhe do vazhdojmë ta mbajmë situatën varur, sepse mund të ketë ndryshime nesër ligjore, sepse do ta rishohim dhe njëherë e kështu me rradhë,” sugjeron ai si përgjigje për qytetarët.
Nga audiopërgjimi nuk është e qartë se cilët janë personat konkretë të cilëve u drejtohet Lame, ku është realizuar takimi dhe data e regjistrimit. Megjithatë, audiopërgjimi është një tjetër shembull i përdorimit të administratës publike dhe i procesit të legalizimit për qëllime elektorale.
I pyetur nga BIRN nëse kishte nisur ndonjë hetim apo verifikim, kreu i SPAK, Arben Kraja dhe se nuk kishte ndonjë kallëzim për këtë audiopërgjim.
“Do e verifikojmë çfarë është,” tha ai për BIRN.
Drejtori i përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame nuk iu përgjigj një kërkese për koment të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.
Megjithatë, në një postim në faqen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Facebook, Lame pranoi se diskutimi është bërë, por e zhvendosi atë pas në tetor apo nëntor të vitit 2017. “Aty jemi pas zgjedhjeve të atij viti, pra nuk mblidhemi për të blerë vota, se votat i kishim marrë,” pretendoi Lame.
Si argument për pretendimin, Lame përmendi shifrat e legalizimeve, që sipas tij kanë ndryshuar.
“Them ‘janë të vërteta për atë kohë’, sepse ndërkaq kemi ecur përpara. Pra, aty them 150 mijë legalizime, sot kemi tejkaluar 210 mijë,” shtoi Lame në postim. Edmond Hoxhaj/ BIRN
Lexoni edhe…
- Gazetari publikon përgjimin e kreut të Kadastrës: Rama na ka thënë ti mashtrojmë 100 mijë qytetarë për legalizimet
- Gazetari: Nëse Rama fiton zgjedhjet, 40 mijë shqiptarëve do t’u prishen banesat
- Skandali i legalizimeve, Petrit Vasili: Ja si i gënjejnë qytetarët rilindasit
- “Do prishen 100 mijë shtëpi pas zgjedhjeve, 40 mijë vetëm në Tiranë”
- Skandali i mashtrimit me legalizimet, Presidenti Meta: Zyrat e shtetit janë kthyer në strehë banditësh. Mos e detyroni popullin të arrestojë të paudhët!
- Reagon Artan Lame: Biseda është e vërtetë, por është e vitit 2017