Audrey Glover një armike? Berisha i thur lavde: Raporti i fundit për zgjedhjet më profesionali ndonjëherë

Këtë të premte, Sali Berisha ka komentuar ardhjen e shefes së Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga OSBE në Shqipëri, Audrey Glover, e cila është për herë të 5-të në këtë detyrë në Shqipëri. Berisha tha se raporti i saj i 4 viteve më parë për zgjedhjet e zhvilluara në vend ishte më profesionali i shkruar ndonjëherë. Për të ky raport u injorua nga qeveria, opozita dhe eksponentë të komunitetit ndërkombëtar.

“Nuk ka as dashuri e as armiqësi të përjetshme. Audrey Glover në zgjedhjet e fundit ka bërë një raport shumë profesional dhe unë e kam vlerësuar raportin e saj. Nëqoftëse raporti i zonjës Glover do të merrej me seriozitetin më të madh nga qeveria dhe komuniteti ndërkombëtar, Shqipëria nuk do të ishte kurrë në këtë gjendje, por raporti i saj u injorua nga opozita, e cila duhet ta kishte bazë kryesore për transformim në kuadrin ligjor. Ai raport u shpërfill në mënyrë të tmerrshme nga qeveria dhe eksponentë të caktuar të komunitetit ndërkombëtar. Por është raporti më profesional që mund të jetë shkruar ndonjëherë për procesin zgjedhor”, tha Berisha.

Shefja e Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga OSBE në Shqipëri, Audrey Glover është një veterane e proçeseve zgjedhore në Shqipëri. Për herë të parë ajo ka drejtuar misionin e vëzhgimit në zgjedhjet politike të vitit 1996. Për tu rikthyer shpesh në vendin tonë në zgjedhjet e vitit 2009 e më pas në ato të viteve 2015, 2019 dhe tashmë në garën e 14 Majit.

SHKARKO APP