Avokati i Popullit për vdekjen e Lear Kurtit: Kemi ngritur një ekip për hetim të shpejtë, të paanshëm e të drejtë
Institucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar për vdekjen e Lear Kurtit, i riun që humbi jetën teksa ishte i shoqëruar në komisariat.
Në reagim bëhet me dije se është ngritur një ekip për të kryer një hetim paraprak mbi ngjarjen.
Reagimi i plotë:
Institucioni i Avokatit të Popullit është njohur nga raportimet në media në lidhje me vdekjen e një shtetasi 32 vjeçar pas ndalimit të tij nga Policia e Shtetit gjatë mbrëmjes së djeshme.
Sipas raportimeve, autoritetet kanë ndjekur mbrëmjen e djeshme rreth orës 23.00 qytetarin L.K. të moshës 32 vjeç, pasi ai nuk i është përgjigjur thirrjes për t’u identifikuar. Pasi është kapur, qytetari është dërguar në mjediset e Komisariatit nr.3 në kryeqytet por sipas pretendimeve të Policisë, ai ka paraqitur probleme shëndetësore e është dërguar në spital, ku më pas ka ndërruar jetë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, Avokati i Popullit në cilësinë e Mekanizmit Kombëtar kundër Torturës dhe trajtimit çnjerëzor, ka ngritur një ekip që është dërguar për të kryer një hetim paraprak mbi ngjarjen.
Ekipi ka vënë kontakt dhe ka intervistuar zyrtarët policorë të përfshirë në ngjarje dhe ka marrë pretendimet e tyre.
Gjithashtu ekipi i Avokatit të Popullit ka këqyrur dokumentacionin përkatës dhe ka nisur një hetim administrativ mbi ngjarjen, për të cilën është duke u kryer paralelisht edhe një hetim i brendshëm nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore.
Avokati i Popullit ka konstatuar se materialet filmike të shoqërimit të qytetarit në mjediset e Komisariatit si dhe ato që sipas raportimit të policisë janë marrë në mjediset e jashtme, nga kamera private në momentin kur qytetari është ndaluar dhe ndaj tij po kryheshin verifikime, janë marrë në dorëzim nga institucionet hetuese. Pas hapave të parë hulumtues Institucioni po kryen veprime të thelluara në lidhje me çështjen.
Avokati i Popullit në vijimësi ka kërkuar zbatimin rigoroz të të drejtave të qytetarëve por edhe detyrimeve të Policisë së Shtetit në lidhje me shkakun e shoqërimit dhe trajtimin e të shoqëruarve apo të ndaluarve.
Institucioni vazhdimisht ka ngritur shqetësime në lidhje me këtë çështje dhe ka kërkuar marrjen e masave konkrete.
Avokati i Popullit i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit dhe u bën thirrje autoriteteve për një hetim të shpejtë, të paanshëm e të drejtë të ngjarjes për të nxjerrë në dritë të vërtetën, si dhe për zero tolerancë ndaj shkeljes së të drejtave të qytetarëve.