Avokatja e Popullit: Duhet ndryshim në hartën territoriale, shërbimet janë përkeqësuar

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, thotë se propozimet për Ndryshimet Kushtetuese të kërkuara nga PD-ja janë shumë të vlefshme. Në një seancë dëgjimore në mbledhjen e përbashkët të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore në Kuvend, Ballanca tha ndër të tjera se shërbimet janë përkeqësuar pas Reformës Territoriale.

”Fakti është se niveli dhe shërbimi për qytetarët ka pasur përkeqësim, këtë e ndjejmë nga raportet e monitorimit. Nga kjo qasje mendojmë se duhet një reformë e re territoriale për të adresuar nevojat e qytetarëve veçanërisht në qytetet e vogla dhe zonat rurale. Me këtë ndarje, disa komunitete minoritare janë ndarë, një ndarje e re territoriale duhet të adresojë dhe këtë çështje”.

Ballanca theksoi edhe se raportet e OSBE kanë vënë theksin te kthimi i besimit të zgjedhësve te zgjedhjet, secila palë duhet të kthehet në një proces të ndershëm.

Kurse për Vetting-un në politikë, Avokatja e Popullit nuk preferoi të komentojë pasi është në konflikt interesi pasi pozicioni i saj parashikohet si objekt i Vetting-ut në politikë. Ajo tha se sipas saj populli shikon shpëtim vetëm nga Vetting-u.

SHKARKO APP