Babai i Klodian Rashës: Shteti të vret në derën e shtëpisë, dua drejtësi!
Babai i 25-vjeçarit Klodian Rasha, i cili u vra mesnatën e djeshme nga një efektv policie kërkon drejtësi për vrasjen e të birit dhe thotë se policia është për të mbrojtur jo për të vrarë.
“Dhimbja ime është edhe e juaja. Dhimbja ime është e të gjithëve, e çdo race, e çdo babe, e çdo nëne. Lind dhe rritet, të jep dhe të merr Zoti. Drejtësia të bëjë drejtësi. Mos të na vrasë çdo minutë. Mos të na vrasë. Jo të më vijë djali mua në rrugicë, dhe të më vritet tek rrugica e shtëpisë. Kush mund ta bëjë këtë?! Kush është ai polic?! Çfarë policie është ajo që të vret në derë të shtëpisë. Policia është për të mbrojtur, jo për të vrarë. Djali ishte duke punuar në llaç gjithë ditën në shtëpi dhe doli të marrë cigare. Për maskën iku dhe e vranë. Prisja ta martoja, jo ta çoja në arkivol”, tha babai i viktimës mes lotësh.