Babai i Martinit në protestë për herë të parë, gjyshi: Të vihet drejtësia në vend!

Babai i Martin Canit për herë të parë u bashkua këtë mbrëmje të së hënës me protestën që u organizua nga qytetarët para Ministrisë së Arsimit. Angel Cani shihet i rrethuar nga familjarë të tij, ndërsa edhe qytetarë të ndryshëm shihen teksa e ngushëllojnë dhe japin forcë duke i shprehur mbështetjen pas tragjedisë me djalin e tij, vetëm 14-vjeçar.

Në protestë ndodhej edhe gjyshi i moshuar i Martinit, i cili i është drejtuar të pranishmëve me një fjalë të shkurtër, ku ka kërkuar që të vendoset drejtësia në vend.

”Dashamirës që keni ardhur për hir të një martiri që ra pabesisht, unë jam gjyshi i Martinit. Për ne ka qenë një humbje shumë e madhe, që me zor po e përballojmë. Unë kërkoj me këmbëngulje, që të vendoset në këtë shtet drejtësia. Do të triumfojë drejtësia, sepse mos kujtoni ju që unë anoj nga asnjë parti, vetëm dua drejtësi dhe drejtësinë do e mbështesë i gjithë populli”, u shpreh ai.

Protestuesit kërkuan plotësimin e kushteve për rritjen e sigurisë në shkolla dhe dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu. Ndërkohë, të mërkurën u thirr sërish një protestë tjetër.

SHKARKO APP