Bajram Begaj nis sot epokën e re si President, Meta rikthehet në terren. PD e përçarë për ceremoninë
Duke filluar nga ora 19:30 e kësaj të diele, për Bajram Begaj do të nis një epokë e re, pasi merr detyrën si President i Shqipërisë për 5 vitet e ardhshme. Kurse Ilir Meta, që sot mbaron mandatin si President, rikthehet në LSI dhe në terren si opozitar.
Kuvendi do të mblidhet pasdite në seancë të jashtëzakonshme për betimin e Presidentit. Në orën 19:30 është parashikuar ceremonia e dytë, ajo në ambientet e Presidencës, aty ku bëhet dorëzimi i detyrës nga Presidenti aktual, Ilir Meta, tek Presidenti i ri Begaj.
Në seancë pritet të marrin pjesë të gjitha grupet parlamentare, përveç deputetëve të Sali Berishës. Vendimi i kreut të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj për të qenë të pranishëm, është marrë për të respektuar institucionin e presidencës, megjithëse bojkotuan votimin e tij më datë 4 qershor. Sipas Alibeajt, qëndrimi i tyre për Bajram Begajn është i qartë, ai përfaqëson zgjedhjen e njëanshme të mazhorancës, jo gjysmën e shqiptarëve.
Pogrami i ceremonisë në presidencë
18:45 – 19:15- Mbërritja e të ftuarve
19:15 – Mbërritja e Presidentit të Republikës SH.T.Z. Bajram Begaj në Presidencë
19:29 – Presidenti i Republikës SH.T.Z. Bajram Begaj bashkë me ish-Presidentin e Republikës SH.T.Z. Ilir Meta, dalin nga Presidenca dhe zënë vend në tribunë
19:30 – Luhet Himni Kombëtar nga Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura, shoqëruar nga 21 të shtëna topi
19:35 – Znj. Vitore Tusha, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese i dorëzon Presidentit, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
19:40 – Fjala e Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Bajram Begaj.
19:50 – Largimi i ish-Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta
19:53 – Komandanti i Truprojës së Nderit i Forcave të Armatosura i paraqet forcën Presidentit. Kalim në revistë i Presidentit.
19:58 – Presidenti i shoqëruar nga familja hyjnë në Presidencë
20:00 – Pritje zyrtare në oborrin e Presidencës.