Balla: Do realizojmë reformat për integrimin në BE

Nën drejtimin e zëvendëskryetarit të Këshillit Kombëtar të Integrimit, Taulant Balla u mblodh sot në Kryesinë e Kuvendit takimi i radhës i Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian të Shqipërisë, i cili kishte në fokus diskutimet mbi përgatitjet rreth procesit të integrimit evropian të vendit

Në takimin e sotëm u diskutuar për disa çështje, të cilat lidhen me përgatitjet e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian, ndërsa të pranishëm ishin përfaqësues të Qeverisë së Shqipërisë, të Kuvendit, të institucioneve të tjera dhe përfaqësues organizatave të shoqërisë civile.

Në fjalën e tij, zëvendëskryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit, Taulant Balla tha se viti i shkuar ishte një vit i rëndësishëm për procesin e integrimit të vendit.

“Duke filluar me rekomandimin e pakushtëzuar të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave e në vijim me konkluzionet e Këshillit Evropian të qershorit, i cili dakordësoi që t’i përgjigjet pozitivisht progresit të bërë nga Shqipëria dhe rekomandimit të Komisionit Evropian, duke përcaktuar rrugën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit në qershor të vitit 2019. Procesi screening i filluar në shtator të vitit 2018, ka vijuar të ecë me ritmin e duhur si dhe është ngritur struktura negociatore shtetërore përgjegjëse për koordinimin dhe mbarëvajtjen e bisedimeve të anëtarësimit”, tha Balla.

Sipas Ballës, Kuvendi i Shqipërisë si organi më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës në vend duhet të luajë një rol të fortë mbikëqyrës gjatë gjithë procesit të negociatave, duke siguruar gjithëpërfshirjen e aktorëve përkatës dhe grupeve të interesit.

“Gjatë vitit të shkuar Kuvendi nisi një proces të rishikimit e përmirësimit të kuadrit ligjor e institucional me qëllim që si organi më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës në vend të forcojë rolin e tij mbikëqyrës në drejtim të zbatimit të detyrimeve të anëtarësimit. Në këtë drejtim, reforma në drejtësi ka qenë një prioritet konstant i Kuvendit edhe gjatë vitit të shkuar, veçanërisht përsa i përket ngritjes së institucioneve të reja të qeverisjes së sistemit dhe mbështetjes së tyre me burimet e nevojshme”, deklaroi Balla.

Fjala e plotë e Taulant Ballës në takimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian:

Në këtë takim të parë të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2019, lejomëni t’ju falenderoj për pjesëmarrjen por dhe për angazhimin tuaj gjatë vitit të shkuar, ndonëse roli i këtij Këshilli gjatë vitit 2018 nuk ishte aq aktiv sa të gjithë ne do të kishim dëshiruar.

Viti i shkuar ishte një vit i rëndësishm për procesin e integrimit të vendit. Duke filluar me rekomandimin e pakushtëzuar të Komisionit Europian për hapjen e negociatave e në vijim me konkluzionet e Këshillit Europian të qershorit i cili dakordësoi që t’i përgjigjet pozitivisht progresit të bërë nga Shqipëria dhe rekomandimit të Komisionit Europian, duke përcaktuar rrugën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit në qershor të vitit 2019. Procesi screening i filluar në shtator të vitit 2018, ka vijuar të ecë me ritmin e duhur si dhe është ngritur struktura negociatore shtetërore përgjegjëse për koordinimin dhe mbarëvajtjen e bisedimeve të anëtarësimit.

E kam theksuar shpesh se negociatat e anëtarësimit nuk janë vetëm përgjegjësi e Qeverisë. Kuvendi si organi më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës në vend duhet të luajë një rol të fortë mbikqyrës gjatë gjithë procesit të negociatave, duke siguruar gjithëpërfshirjen e aktorëve përkatës dhe grupeve të interesit.

Gjatë vitit të shkuar Kuvendi nisi një proces të rishikimit e përmirësimit të kuadrit ligjor e institucional me qëllim që si organi më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës në vend të forcojë rolin e tij mbikqyrës në drejtim të zbatimit të detyrimeve të anëtarësimit.

Në këtë drejtim, Reforma në drejtësi ka qenë një prioritet konstant i Kuvendit edhe gjatë vitit të shkuar, vecanërisht përsa i përket ngritjes së institucioneve të reja të qeverisjes së sistemit dhe mbështetjes së tyre me burimet e nevojshme.

Gjithashtu një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të forcimit të rolit të Kuvendit në procesin e integrimit janë edhe ndryshimet e propozuara në Rregulloren e Kuvendit, të cilat synojnë përshtatjen e neneve të Rregullores së Kuvendit me dispozitat e ligjit nr. 15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian” me qëllim forcimin e mëtejshëm të kontrollit parlamentar për procesin e integrimit dhe kontribuimin cilësor në legjitimitetin demokratik të këtij procesi.

Jemi të gjithë të vetëdijshëm për rëndësinë e momentit aktual të procesit të integrimit, i cili kërkon së pari thellimin e momentit aktual të reformave, për të konsoliduar më tej progresin e bërë në reformën në drejtësi dhe për të vijuar me forcimin e rezultateve konkrete në prioritetet e tjera si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma në administratën publike dhe mbrojtja e lirive dhe të drejtave themelore.

Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, që në fillimet e tij është konceptuar si një strukture gjithëpërfshirëse për integrimin e cila garanton zhvillimin e një dialogu politik konstruktiv e të qëndrueshëm e mbi të gjitha garanton gjithpërfshirjen në realizimin e reformave dhe detyrimeve të anëtarësimit duke kanalizuar në proces, të gjithë ekspertizën e shoqërisë civile, komunitetit të biznesit, medias dhe botës akademike.

Intesifikimi i reformave sigurisht shoqërohet edhe nga sfida gjithmonë e në rritje të cilat kërkojnë një rol edhe më aktiv të KKIE në mbikqyrje efektive të procesit të integrimit, e mbi të gjitha duke ofruar mbështetje teknike dhe konsultim me

grupet e interesit, si një nga elementët thelbësor që kontribuojnë në suksesin e këtij procesi.

Për këtë qëllim, dëshiroj të shpreh vullnetin dhe angazhimin maksimal për ti dhënë këtij Këshilli një rol qendror në nxitjen dhe lehtësimin e dialogut publik mbi zbatimin dhe cilësinë e reformave të anëtarësimit në përputhje me misionin e tij parësor për garantimin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publike dhe shoqërisë civile.

Takimin e parë për këtë vit e nisim me bashkëbisedimin me Ministrin në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, mbi ecurinë e reformave në zbatim të detyrave të lëna nga Komisioni Europian dhe Këshilli Europian, si dhe mbi hapat që do të ndërmerren në muajt në vijim për të mundësuar hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit.

Gjithashtu, në këtë takim kryetari i Komisionit të Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e Zbatimit të Ligjit “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, do të informojë Këshillin mbi ecurinë e ngritjes dhe funksionimit të Organeve të reja të Qeverisjes së këtij Sistemi, të cilat kanë një rëndësi jetike në vënien në zbatim të plotë të reformës rrënjësore në drejtësi të miratuar me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016.

Në takimet e ardhshme Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, do të fokusohet te mbikqyrja e zbatimit të reformave që lidhen me secilin nga 5 prioritetet për hapjen e negociatave të anëtarësimit duke bashkëbiseduar me Ministrat përgjegjës për to si dhe duke siguruar konsultimin dhe dakordësimin me shoqërinë civile dhe të gjithë aktorët e tjerë të këtij procesi.

Për këtë qëllim dëshiroj të ftoj shoqërinë civile të intensifikojë angazhimin në Këshilll duke ofruar të gjithë ekspertizën e tyre në procesin e integrimit e cila është thelbësore në promovimin e debatit konstruktiv në mbikqyrje të reformave integruese dhe konsolidimin e rezultateve të qëndrueshme në respektimin e

parimeve të shtetit të së drejtës, ekonomisë funksionale të tregut dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Në përfundim, dëshiroj të risjell në vëmendje se një raport i detajuar për ecurinë e procesit gjatë vitit 2018, është dërguar nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme muajin e shkuar i cili ju është përcjellë edhe ju. Në vijim të këtij raporti dhe në zbatim të detyrimit të Ligjit “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në BE”, është hartuar edhe Draft-Rezoluta që do të miratohet nga Kuvendi. Në kopje të Draft-Rezolutës e keni në dosjet që ju janë shpërndarë. Mirëpresim komentet apo sugjerimet tuaja për përmirësimin e mëtejshëm të saj, të cilat mund ti dërgoni pranë Sekretariatit Teknik të KKIE.

Duke ju falenderuar ia kaloj fjalën Ministrit në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme.

SHKARKO APP