Balla: Energjia rritet për hajdutët
E ndërsa PD një ndër kushtet kryesore për rikthimin e saj në Kuvend vuri dekriminalizimin e Kuvendit, deputeti socialist Taulant Balla drejton gishtin nga ish-kryeministri i vendit Sali Berisha duke e cilësuar njeriun më me shumë rekorde kriminale.
I ftuar në studion e lajme në RTV Ora News, Balla është optimist se në kampin kundërshtar, më në fund PD ka një grup të strukturuar kundër rrymës Berisha.
“ Fakti që një numër i madh i deputetëve të Partisë Demokratike në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar ditën e hënë kanë refuzuar linjën joeuropeiste, tregon se më në fund ka një grup të strukturuar brenda PD që synon ta çlirojë PD nga makthi 24-vjeçar i kontrollit të kësaj partie nga Berisha.
Kujtoj që Berisha mbetet drejtuesi i vërtetë i linjës zyrtare në PD.Lulzim Basha ka thjesht karrigen dhe vulën. Edhe bojkoti dhe linja për ta vazhduar përtej datës 24 dhjetor ka qenë linja e imponuar nga Berisha. Lidhur me dekriminalizimin, ne kemi qenë dakord që prej ditës së parë. Personalisht mendoj se politika shqiptare duhet ti adresojë me vëmendje njerëzit me rekorde kriminale, ndër ta mendoj se njeriu që ka rekorde më të shumta kriminale në Kuvend është Berisha”.
Për Ballën PS-LSI kanë krijuar parlamentarizëm funksional, ku si asnjëherë opozita mund të flasë më shumë se mazhoranca.
“PS-LSI kanë krijuar tashmë një parlamentarizëm funksional prej ditës që kanë garantuar shumicën qeverisëse në këtë vend. Kreu i Kuvendit Meta meriton një vlerësim maksimal, e ka marrë këtë edhe nga BE”.
Duke u ndaluar në debatin e fundit për çmimin e energjisë dhe heqjen e fashës e 300 KW, Balla thotë se të vetmit që dëmtohen janë hajdutët e energjisë.
Sipas tij reforma në energji sikundër reformat e tjera të ndërmarra nga qeveria kanë mundësuar që në këtë vend më më fund të vijë era shtet.
“ PD në mungesë të një lidershipi korrekt bën korbin në çdo rast. Unë i garantoj qytetarët kudo që janë që reforma e sistemit të energjisë është një refromë në dobi të qyetarëve të ndershëm të këtij vendi dhe prek vetëm hajdutët e energjisë elektrike në këtë vend. Është e vërtetë që heqja e fashës rrit me 25% çmimin, por qeveria ka garantuar që çdo familje pensionisti do ti jepen në fillim të muajit paratë për këtë diferencë.”
Deputeti socialist është i bindur se partia e tij do ta justifikojë besimin e qytetarëve.