Balla: Fleta e votimit do të ketë dy pjesë, kandidatin dhe partinë me numra ose shkurtime! Tom Doshi jo në PS
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka sqaruar këtë të premte sesi do të jetë fleta e votimit për zgjedhjet e 25 prillit. Pas takimit me Leonidas P. Raptakis (senator ne Rode Island), Balla tha se fleta e votimit do të jetë e përbërë nga dy pjesë, kandidati por dhe pjesa tjetër, me numra apo shkurtime, që e cakton KQZ.
“Unë nuk do doja që partitë politike të hyjnë në një diskutim të tillë. I takon KQZ që të përcaktojë një fletë votimi që të jetë e thjeshtë për qytetarët dhe që mos të çojë asnjë votë të pavlefshme. Në këtë këndvështrim, dua të them edhe një herë vlerësimin tonë se për herë të parë qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi që të votojnë për kandidatin që ata duan dhe jo vetëm për subjektin politik. Fleta e votës do të jetë e përbërë nga dy pjesë, kandidati por dhe pjesa tjetër, me numra apo shkurtime, që e cakton KQZ-ja. Eksperienca ka tregtuar qe të përdoren numrat për të arritur në formësimin e një flete votimit të vogël, për t’u administruar”, u shpreh Balla.
Nga ana tjetër, ai u pyet nga gazetarët edhe për Tom Doshin, sidomos për deklaratat e ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, por tha se Doshi është përjashtuar nga PS-ja.
”Unë këtë përgjigje kam dhënë në 2015 kur ish-deputeti i PS, Tom Doshi me vendim të grupit parlamentar të PS është përjashtuar dhe dua t’ju them që pyesni kryetarin e partisë së zotërisë lidhur me këtë. Për sa i përket PS-së jo vetëm që ka bërë procese të shkëlqyera të verifikimit të kandidadurave, pasi ndërmori një proces historik për t’iu dhënë vajzave dhe djemve të rinj dhe ekspertëve të fushave të ndryshme që kontributin e tyre për Shqipërinë ta japin përmes përfshirjes në listat e kandidatëve për deputetë të ekipit fitues. Përgjigja e Edi Ramës si kreu i PS, e imja si sekretari i përgjithshëm është brenda strukturave të PS”.