Balla hedh akuza të forta: Ka shefa dhe drejtor komisariatesh që ulen në lokale me kriminelë dhe u japin informacione
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka hedhur akuza të forta duke thënë se drejtorë e shefa komisariatesh ulen në lokale me kriminelë duke u dhënë atyre informacione sensitive të punës dhe të aksioneve policore.
Ai thotë se punonjësit e policisë jo vetëm që nuk duhet të ulen në lokal në orar pune, por ato “guxojnë” aq shumë saqë takohen edhe me persona të papërshtatshëm, duke e cilësuar si skandaloze dhe karshëllëk poshtërues për policët e rënë në detyrë.
“Në Kodin Etik thuhet që thotë se drejtuesit e Policisë së Shtetit nuk mund të ulen nëpër kafe e restorante as gjatë pune, as pas pune, përveçse për arsye familjare apo arsye të tjera për të cilat kanë vënë më parë në dijeni eprorët, por jo vetëm kështu nuk ndodh, por ndodh fatkeqësisht që edhe që drejtorë e shefa komisariatesh, të kenë kontakte të papërshtatshme nëpër lokale, ku deri edhe u përcillen kriminelëve informacione sensitive të punës dhe të aksioneve policore. Natyrisht edhe në rrugë të tjera, po kjo rrugë që po them është përveçse po aq skandaloze sa të tjerat, edhe një karshëllëk poshtërues për gjakun e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë, përveçëse është edhe shembulli më i keq dhe më demotivues për punonjësit e Policisë së Shtetit në vartësinë e drejtorëve e shefave të këtij profili kaq të ulët moral”, tha Balla gjatë takimit me drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë së Kukësit, ku prezantoi dhe drejtorin e ri Artan Bajraktari.