Balla i kthehet ashpër Berishës: Të flasësh ti për antikorrupsion, njësoj si të flasë djalli për biblën
Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla i është kthyer ish-kryeministrit Sali Berisha pas deklaratave në seancën plenare. Balla tha se të dëgjosh Berishën të flasë për antikorrupsionin është njësoj sikur djalli të flasë për biblën.
Ai i bëri thirrje PD-së të mos e shndërrojnë PD-në në strehën e fundit dhe bunkerin e fundit komunist në Shqipëri.
“Parafolësi është personi i vetëm në këtë sallë i shpallur non grata nga SHBA-të për korrupsion të nivelit të lartë dhe ta dëgjosh të bëjë moral antikorrupsion është njësoj sikur djalli të flasë për Biblën. Është njësoj sikur të dëgjosh djallin të flasë për besimin. Sali Berisha e ka mbyllur me Shqipërinë dhe shqiptarët, kaq. Pastaj koha do tregojë se sa të drejtë kanë SHBA-të. Për ata që nuk e dinë, në sitin e DASH mund të shikosh krizën tënde, në cilën listë dhe me kë është Saliu përbri. Në Amerikën e Jugut, në Afrikë, në Rusi nëse doni dhe po qe në rajon, homologu i tij është Milorad Dodik. Ti Tritan më kupton mirë kur krahasoj Berishën dhe Dodik. Natyrshëm për t’u rikthyer tek çështja për të cilën flasim, tek akti normativ ne ua dhamë përgjigjen javën e kaluar dhe më vjen keq që znj. Tabaku duhet të kishte hequr dorë nga kërkesa. Si ta merrnim në konsideratë paketën tuaj të rezistencës, kur është paketa unike në botë që vlerën e ka më të ulët se sa ajo e qeverisë. Shqipëria ka miratuar paketën më të drejtpërdrejt të ndihëm për ata që kanë nevojë”, deklaroi Balla.