Balla: Marrëdhëniet me SHBA do të forcohen gjatë presidencës së Trump
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla tha se Shqipëria i ka të forta marrëdhëniet me SHBA-në dhe këto marrëdhënie do të forcohen edhe më tej gjatë mandatit të presidentit Donald Trump. Në një reagim ndaj deputetit Tritan Shehu, i cili kërkoi që Kuvendi të bëjë një deklaratë për të përshëndetur fitoren e Donlad Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane, Balla tha se kuvendi nuk ka mbajtur ndonjëherë në këto 30 vite një deklaratë për të përshëndetur fitoren e një presidenti.
”Unë nuk mbaj mend ndonjëherë që Kuvendi i Shqipërisë në këto 30 vite të ketë bërë një deklaratë për të përshëndetur fitoren e një presidenti apo të një kandidati për kancelar apo kryeministër në një vend tjetër. Është fakt publik, kryeministri Edi Rama ka qenë ndër udhëheqësit e parë evropianë që ka uruar presidentin Trump për fitoren e tij të shquar. Di që një pjesë e madhe e kolegëve të mi ministra, unë personalisht e kam bërë një gjë të tillë, siç e keni bërë dhe ju. Në fund të fundit është një moment i rëndësishëm, Presidenti i SHBA-ve është një aktor i rëndësishëm i politikës globale.
Në këto 102 vite marrëdhëniesh të ngushta Shqipëri-SHBA ne nuk harrojmë asnjëherë rolin e tyre të pazëvendësueshëm në krijimin e shtetit shqiptar dhe rolin e pazëvendësueshëm të Presidentit Wilson dhe gjithashtu të falënderojmë të gjithë presidentët amerikanë prej vitit 1990 e këtej, nga presidenti Bush (babai), e më pas presidentin Clinton, e më pas përsëri presidentin Bush, i cili vizitoi Shqipërinë dhe ishte një president që mbështeti fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për të vazhduar me presidentin Obama, për të vazhduar me presidentin e 45-të që ishte presidenti Trump, me presidentin e 46-të, presidentin Biden dhe përsëri presidentin e 47-të presidentin Trump. Shqipëria marrëdhëniet me SHBA-në i ka të forta dhe këto marrëdhënie do të forcohen edhe më tej gjatë mandatit të presidentit të 47-të z. Trump.
Është një gjë e mirë që në administratën e re të presidentit Trump që po konfigurohet pothuajse e plotë, ka duke filluar nga presidenti Trump dhe pozicione të tjera ka shumë, shumë njerëz personalitete që njohin shumë mirë Shqipërisë, që e njohin shumë mirë Ballkanin perëndimor dhe kjo është një mundësi për ta forcuar dhe për të shkuar tek ajo që tha dhe kryeministri Rama kur uroi presidentin Trump që marrëdhëniet tona do të vazhdojnë të forcohen edhe më tej sa i përket këtij raporti strategjik”,-tha Balla.