Balla me të rinjtë që jetojnë jashtë vendit: 2030 do na gjejë anëtarë të BE-së! Kemi nevojë për të specializuar në teknologji
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla zhvilloi këtë të premte një takim me të rinjtë që jetojnë e studiojnë jashtë Shqipërisë. Gjatë bashkëbisedimit me ta, Balla u shpreh me tone shumë optimiste për ecurinë e vendit drejt familjes së BE-së. “Shqipëria është në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Unë besoj se viti 2030 do na gjejë anëtarë të BE-së, që është realizimi i një aspirate historike të shqiptarëve”,-tha Balla.
Nga ana e tij, ministri i ftoi të rinjtë ta shohin pjesëmarrjen në politikë si një kontribut për atdheun. “Industria e turizmit është shndërruar në një prej motorëve kryesorë të zhvillimi ekonomik, social etj. Presim që ky vit të shënojë një tjetër rekord historik të vizitorëve të huaj që vijnë në Shqipëri, rreth 14 milion, që do të thotë 5 herë më shumë se sa janë rezidentë në vend”.
Ministri pohoi nevojën për djem e vajza të specializuar, sidomos në fushën e teknologjisë së informacionit dhe përsëriti ftesën për qytetarët shqiptarë kudo që jetojnë të regjistrojnë adresën e tyre.
“Pse kjo është e rëndësishme? Sepse duhet të kuptojmë me këtë shtrirje të madhe që kanë qytetarët shqiptarë, e vetmja mënyrë për të organizuar pjesëmarrjen e tyre në votime është me postë, siç e ka edhe Kosova, edhe siç e kanë edhe shumë vende. Atëherë që ne të të sjellim fletën e votimit duhet të na japësh adresën që ne ta sjellim. Kështu që edhe KQZ e ka nënvizuar këtë si një nevojë.
Unë mendoj që janë pjekur të gjitha kushtet që kjo të ndodhi, por natyrshëm duhet të jetë e organizuar në atë mënyrë, që të garantojë integritetin e plotë të një procesi zgjedhor dhe besoj që edhe opozita, sepse në fund të fundit këtu duhet edhe dakordësi politike, ta mbështesë dhe të eci përpara”, deklaroi Balla.