Balla ministër i Brendshëm, PD e Berishës: Pjesë e paktit të Ramës

Partia Demokratike e Sali Berishës ka reaguar pas emërimit të Taulant Ballës nga kryeministri Edi Rama si ministër i Brendshëm, pas shkarkimit të Bledi Çuçit. Në deklaratën e PD thuhet se kjo është një shenjë e degjenerimit total të pushtetit dhe verbërisë së Ramës para dramës së sigurisë që po kalon vendi.

“Taulant Balla është ngarkuar për të bërë atë që nuk bënte dot Bledi Çuçi, kur ndodhin ngjarjet e sikletshme për qeverinë, ai t’i mbulojë siç bëri në Elbasan. Për Partinë Demokratike nuk ka rëndësi emri dhe mbiemri: mund të jetë Taulant Yaris, Taulant Gurra, Taulant Rraja apo Taulant Balla. Secili prej tyre është masha e Edi Ramës për të mbajtur të gjalla lidhjet e pushtetit me krimin. Sepse, pa këto fije Edi Rama nuk i fiton dot kurrë, asnjëherë, me garë të hapur e të barabartë zgjedhjet“.

Reagimi i PD së Sali Berishës

Edi Rama ka bërë dje një rokadë në majë të pushtetit duke e zhgraduar si deputet, Rahman Rrajën dhe disa orë më pas e ka graduar si Ministër të Brendshëm. Taulant Balla është vetëm një “presta nome” për bandën e Rrajave dhe për të gjitha bandat e Shqipërisë nga Elbasani në Shkodër.

Zëvendësimi i “Çuçit të familjes” me familjarin e bandave është shenjë e degjenerimit total të pushtetit dhe verbërisë së Ramës para dramës së sigurisë që po kalon vendi. Partia Demokratike e konsideron këtë emërim si pjesë të paktit të bërë nga Rama dhe Balla me bandat kriminale për zgjedhjet e 14 majit: Ju na jepni rezultatin ne ndajmë pushtetin me ju.

Raporti i farsës së 14 majit të bërë tashmë publik nga Partia Demokratike e dëshmon qartë këtë. Si do ta mbrojë, Taulant Balla familjen Maja në Krujë nga banda e Rrajve, kur po ai, para disa vitesh ka hyrë në Komisariatin e Fushë Krujës për të nxjerrë prej andej nipërit dhe djalin e deputetit dhe mikut të tij Rrahman, që ishin ndaluar nga policia për dhunimin e Xhisiela Malokut?

Si do ti mbrojë Taulant Balla policët që kryejnë detyrën në emër të shtetit, kur ai në emër të pushtetit mori anën e banditëve kundër oficerit Emiljano Nuhu, shef i krimeve në Fushë Krujë, që po hetonte Rrajat?

Si do t’i gjurmojë apo arrestojë Taulant Balla bandat vdekjeprurëse të Elbasanit, kur ai rezulton në përgjimet e shërbimeve inteligjente të vendeve aleate si bashkëpunëtor i afërt i tyre? Si do ta rrisë Taulant Balla besimin e publikut te forcat e Policisë dhe sigurisë, rënë përtokë gjatë këtyre viteve, kur ai ka marrë pjesë, bashkë me Ardi Veliun në manipulimin e provave për vrasjen e Elbasanit në fushatën zgjedhore të vitit 2021?

Taulant Balla është ngarkuar për të bërë atë që nuk bënte dot Bledi Çuçi, kur ndodhin ngjarjet e sikletshme për qeverinë, ai t’i mbulojë siç bëri në Elbasan. Për Partinë Demokratike nuk ka rëndësi emri dhe mbiemri: mund të jetë Taulant Yaris, Taulant Gurra, Taulant Rraja apo Taulant Balla. Secili prej tyre është masha e Edi Ramës për të mbajtur të gjalla lidhjet e pushtetit me krimin. Sepse, pa këto fije Edi Rama nuk i fiton dot kurrë, asnjëherë, me garë të hapur e të barabartë zgjedhjet.

SHKARKO APP