Balla: Në 2025-ën presim fitore më të thellë! Daljet e Berishës në ballkon s’na shqetësojnë
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka dhënë një deklaratë për mediat nga Fieri ku ka zhvilluar një takim me strukturat e partisë në këtë qytet, në rolin e drejtuesit politik të qarkut.
Po ashtu nënvizoi se PS në çdo palë zgjedhje, ka marrë më shumë vota sesa në zgjedhjet pararendëse, duke shtuar se ka më shumë energji në mënyrë që rezultati në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës të jetë edhe më i mirë sesa ai i zgjedhjeve të kaluara.
“Pushteti, ose forca që ka shumicën në Kuvend, caktohet vetëm me zgjedhje dhe me votën e qytetarëve shqiptarë. Nëse i hidhni një sy rezultateve zgjedhore, PS, në çdo palë zgjedhje, ka marrë më shumë vota sesa në zgjedhjet pararendëse. Pra kemi marrë më shumë vota në vitin 2017 se në vitin 2013, më shumë vota në 2021 sesa në 2017, dhe prandaj ky organizim dhe ky masivitet që shikoni sot këtu lidhet pikërisht me përpjekjen që PS, në zgjedhjet e vitit 2025, maksimalisht, të kemi një rezultat më të mirë zgjedhor se ai që kemi pasur. Kështu që unë nuk shoh kurrsesi lodhje, por shoh më shumë energji dhe nevojë për ta dinamizuar PS”,-shtoi ministri.
I pyetur edhe nëse i shohin si sfidë nga Berisha daljet e tij në ballkon para militantëve, Balla tha se nuk qëndron një gjë e tillë por theksoi se ajo që bën ish-kryeministri është e papranueshme sa i takon Kodit Penal në Shqipëri pasi një personi që është në arrest shtëpie nuk i lejohet komunikimi me persona të tjerë përveçse ata familjarë.