Balla, në Komitetin e Politikës së Jashtme të PE: Zgjedhet vendore, hap përpara

 

Komiteti i Politikës së Jashtme në Parlamentin Europian ftoi në një dëgjesë nënkryetarin e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Ky komitet, i cili përbëhet nga eurodeputetë të Grupit Socialist dhe atij Demokrat, drejtohet nga eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein, njëkohësisht edhe raportues për Shqipërinë në Parlamentin Europian.

Zyra e shtypit në PS njoftoi se, në këtë mbledhje euroedeputët u informuan nga zoti Balla mbi përfundimin e procesit zgjedhor për strukturat e qeverisjes vendore.

Balla citohet në njoftim të ketë deklaruar se “zgjedhjet vendore të 21 Qershorit ishin një hap i madh përpara drejt përmbushjes së standardeve më të mira për mënyrën e zhvillimit të fushatës zgjedhore, administrimit të procesit gjatë ditës së votimit, për të konkluduar me një përfundim në kohë rekord, krahasuar me vitet e mëparshme, të procesit të numërimit”.

Ndërkaq, mësohet se “Grupi Socialist dhe ai Demokrat në Parlamentin Europian mbështeti hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë, duke e vënë theksin në domosdoshmërinë e reformës në sistemin e drejtësisë”.

SHKARKO APP