Balla në Strasburg: Zgjedhjet e 11 Majit për vëzhguesit ndërkombëtar u menaxhuan me profesionalizëm
Sot në Strasburg po mbahet takimi i 19-në i Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri. Ky takim dy ditor do të ketë në qendër të vëmendjes së diskutimeve integrimin e Shqipërisë në veçanti zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla e nisi fjalën duke thënë se arritjet e qeverisë shqiptare tregojnë se vendi është i vendosur për një anëtarësim të plotë në BE brenda dekadës.
Nga ana tjetër Balla e përqëndori fillimin e fjalës së tij edhe te opinioni i vëzhguesve ndërkombëtar të zgjedhjeve të 11 majit në Shqipëri, ku theksoi se sipas tyre ishin konkurruese dhe të menaxhuara me profesionalizëm. Balla nuk la pa përmendur dhe faktin që shqiptarët brenda vendit por edhe ata në diasporë janë të vendosur për të mbështetur integrimin. Balla shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme politike të Parlamentit Evropian dhe për përkushtimin që ky i fundit ka treguar ndaj vendit tone.
“Ne e përshëndesim mocionin tuaj të fundit për një rezolutë, i cili me të drejtë njeh përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin në BE”,-tha Balla. Duke përmendur progresin konkret që është bërë që nga tetori i vitit 2024, ministri tha se janë hapur tashmë 24 nga 33 kapituj të negociatave. “Ne i shohim reformat jo thjesht si një listë kontrolli të kushteve teknike, por si një detyrim moral dhe politik duke i sjellë dobi qytetarëve tanë mbi të gjitha”,-theksoi Balla.
Qytetarët shqiptarë sipas tij e kanë konfirmuar mbështetjen dërrmuese për rrugën evropiane: “Mbi 90% e shqiptarëve, si në vend ashtu edhe në diasporë, mbështesin anëtarësimin në BE. Për shqiptarët, dielli lind nga Perëndimi dhe zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 e konfirmuan këtë orientim pro-evropian”.
Zgjedhjet e fundit ishin historike jo vetëm për shkak të rezultatit, por sepse për herë të parë, qytetarët jashtë vendit patën mundësi të votojnë. Duke cituar raportin e 12 majit nga OSBE/ODIHR dhe institucionet ndërkombëtare vëzhguese, ai tha: “Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri ishin konkurruese dhe të menaxhuara profesionalisht kandidatët patën në përgjithësi liri në fushatë”.
KOHA JONË SONDAZH

