Balla: PD është degraduar, sulmoi institucionet e së drejtës në Kuvend
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla është prononcuar sot për mediat, ku ka shënjestruar Partinë Demokratike, duke e konsideruar të degraduar bashkë me liderin historik, Sali Berisha. Sipas tij, deputetët e opozitës sulmuan institucionet e vendit, institucionet e drejtësisë dhe nuk respektuan rregulloren e Kuvendit në seancën e sotme plenare.
Deputeti i PS-së, Taulant Balla, poston në statusin e tij Facebook prononcimin për mediat bërë sot jashtë ambjenteve të Kuvendit, ku shprehet: “Besoj se ndajmë të gjithë shqetësimin për degradimin e Partisë Demokratike dhe të liderit historik, Sali Berisha, në zëdhënësin e Durim Bamit. Është e papranueshme që një parti politike që ka qeverisur vendin për kaq vite, të sulmoje në mënyrën më të paepur dhe në mënyrën më joetike institucionet e vendit, institucionet e drejtësisë, të mos respektojë në asnjë germë dhe në asnjë fjalë rregulloren e Kuvendit”.
“Siç po e shikoni, është seanca e parë e një procedure normale heqje imuniteti, apo dhënie leje arresti, kanë ndodhur edhe raste të tjera të ngjashme në historinë e këtij parlamentit, por sjellja e sotme e PD është e papranueshme. Megjithatë, besoj se qëndrimi i bërë i qartë nga ana jonë, qoftë nga Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, nga drejtuesi i seancës zoti Dule, i cili meriton gjithë respektin për profesionalizmin e treguar në drejtimin e seancës, është që seanca duhet të vazhdoje në respekt të plotë të rregullores. Procedurat parlamentare siç kanë funksionuar dje, pardje do të funksionojnë edhe sot. Qytetarët janë ata që vlerësojnë”, tha Balla.
Po ashtu, Balla ironizon ish-kryeministrin Sali Berisha, duke pohuar se “Saliu i mbetur pa punë nga zgjedhjet e 23 qershorit, paska zënë punë të re, zëdhënës i Durimit Bamit. Punë të mbarë Sali se punë tjetër nuk ke”.