Balla: PD të paraqesë propozimet për dekriminalizimin e Kuvendit

Mazhoranca është e gatshme që brenda 3 muajve të parë të 2015 të marrë në shqyrtim dhe të miratojë  propozimet e opozitës në lidhje me dekriminalizimin e politikës.

Kjo u bë e ditur nga deputeti socialist Taulant Balla, sipas të cilit mazhoranca ka të gjithë vullnetin për të pritur cdo propozim të Partisë Demokratike në lidhje me këtë cështje.

Balla theksoi se i vetmi kusht i mazhorancës është që propozimi që do të bëhet nga Partia Demokratike të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe të konsultohet me Komisionin e Venecias.

“Ne e kemi shprehur si mazhorancë që jemi të gatshëm të presim cdo propozim të opozitës. Madje brenda 3 muajve të parë të vitit 2015 Kuvendi është i gatshëm të marrë në shqyrtim propozimin për dekriminalizimin.

Ne jemi të pritje të propozimit, pasi kjo është një kërkesë e bërë nga Partia Demokratike dhe ne duhet të respektojmë këtë të drejtë të saj.

I vetmi kusht që ne kemi është që propozimi të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe të jetë në konsultim me Komisionin e Venecias.

Përsa i takon kërkesave të tjera të opozitës ato janë plotësuar pasi rregullorja e Kuvendit u ndryshua sipas propozimit të bërë nga një koleg i opozitës, Komisionet Hetimore janë ngritur dhe ne presim që opozita t’I vërë në funksion, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë zbatuar dhe do të zbatohen”, theksoi Balla. 

SHKARKO APP