Balla prezanton Granit Gjanën si Prefektin e ri të Kukësit: Përfaqësues direkt i kryeministrit dhe i qeverisë në territor
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla këtë të hënë prezantoi Prefektin i ri të Qarkut Kukës, Granit Gjanën, i cili zëvendësoi në këtë detyrë Albert Halilajn.
Balla tha gjatë takimit se Ministria e Brendshme ka gati draftin e ri ligjor, për konsolidimin e rolin të Prefektit, si përfaqësues direkt i kryeministrit dhe i qeverisë në territor. Ministri e vuri theksin tek roli që Prefekti ka aktualisht për drejtimin e disa Task Forcave vendore, ku veçoi atë për Paketën e Sigurisë në shkolla.
“Të gjithë e dimë që fëmijët rrezikun më të madh të qasjes ndaj fenomeneve si droga, apo të tjera si bullizmi, nuk ndodhin në shkollë, por ndodhin rrugës për në shkollë ose në të gjitha njësitë e shërbimit që ndodhen brenda perimetrit të sigurisë në shkolla”, tha Balla.
Ministri foli më tej për një qasje të re në zbatimin e kësaj pakete sigurie. “Jam shumë krenar për rezultatet që kemi arritur në ditët e para të këtij viti të ri shkollor. Që në javën e parë kemi pasur një numër të konsiderueshëm personash të përfshirë në 23 grupe kriminale, të cilat funksiononin në shpërndarjen e lëndëve narkotike pranë shkollave në pothuajse të gjithë territorin”, nënvizoi Balla.