Balla: Procesi kundër Bashës nuk mbaron me kaq. KLP të verifikojë procedurat e hetimit
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila vendosi të pushojë çështjen në ngarkim të kreut të PD-së Lulzim Basha, ish-deputetit të Arben Ristani dhe financieri Ilir Dervishit, pasi nuk ekzistojnë prova.
Përmes një postimi në rrjetin social facebook Balla deklaron se kush mendon se kjo dosje e rëndë me të pandehur kryesor Lulzim Bashën, mund të mbyllet kështu pa u hetuar aspak në themel, pa u marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë, e ka shumë gabim. Sipas tij, kjo dosje nuk është një çështje vetëm e drejtësisë shqiptare dhe se nxitimi i stimuluar i ndonjë prokurori dhe gjyqtari që nuk e ka kaluar procesin e vettingut dhe që zbaton parimin “kap çfar të kapësh”, shfaqën sot këtë teatër të turpshëm për sytë e shqiptarëve dhe jo vetëm.
Postimi i plotë i Taulant Ballës:
“Kush mendon se kjo dosje e rëndë me të pandehur kryesor Lulzim Bashën, mund të mbyllet kështu pa u hetuar aspak në themel, pa u marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë, e ka shumë gabim.
Kjo nuk është një çështje vetëm e drejtësisë shqiptare. Nxitimi i stimuluar i ndonjë prokurori dhe gjyqtari që nuk e ka kaluar procesin e vettingut dhe që zbaton parimin “kap çfar të kapësh”, shfaqën sot këtë teatër të turpshëm për sytë e shqiptarëve dhe jo vetëm. Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të hetojnë gabimet procedurale me dashje, që çuan në këtë teatër të turpshëm, ku prokuroria hetoi 2 vite dhe gjykata e mbylli për 2 orë. Apelimi i këtij vendimi absurd dhe rikthimi i çështjes për hetim të plotë duke dhënë edhe garancitë nga Gjykata për marrjen në pyetje të përfituesit të parave Nik Muzin, janë hapat e vetëm për të hedhur dritë e për të bërë drejtësi në këtë dosje të rëndë.