Balla, sherr me Bylykbashin: Je i paaftë dhe sharlatan, ik merru me Gridën
Mbledhja e sotme në Komisionin për dekriminalizimin është shoqëruar me debate të forta mes kryetarit Oerd Bylykbashi dhe nënkryetarit Taulant Balla.
Balla e ka akuzuar për paaftësi Bylykbashin dhe se e ka fyer.
Pas debateve të tensionuara, deputetët e mazhorancës janë larguar nga salla, pasi kanë kërkuar largimin e Bylykbashit nga mbledhja.
Oerd Bylykbashi: Duhet ta dekriminalizojmë këtë parlament dhe administratën publike. Nëse doni bëni propozime, nëse jo, duam ne dhe Komisioni i Venecias.
Spartak Braho: Zvarritja ka të bëjë me drejtimin e Komisionit. Ti nuk di ta drejtosh komisionin, s’ke aftësi.
Bylykbashi: Aftësinë time se gjykoni ju, më ka vënë parlamenti
Braho: Më lër të mbaroj
Bylykbashi: Nënkryetari i Komisionit e ka mbajtur për 3 javë peng, z. Braho.
Braho: Fol si koleg jo si shef kabineti
Bylykbashi: Nuk do ishim këtu nëse zoti Balla nuk do bënte atë që bëri për 3 javë rresht. Ky është vendim politik, jo gjë tjetër. Se besoj se zoti Balla ka pasur paaftësi.
Balla: Mos më fol mua ashtu. Qetësohu
Bylykbashi: Duhet të bëni atë detyrë që ju ka ngarkuar Kuvendi. Nëse herë tjetër e bëni këtë, i kërkoni kuvendit t’ju zëvendësojë
Balla: Qetësohuni më lini të flasë, nuk e di ça ka. Është zënë me Gridën
Bylykbashi: Lërini paloçollëqet këtu
Balla: Dil në fushatë me Gridën
Bylykbashi: Pse e ke mbajtur peng, sqaroje.
Balla: Ti zotëri kur bën një shkresë nuk vihet firma. Sikur jam sekretari jot. Letra duhet zyrtare, jo letër hallvaxhiu. Letra është bërë gati nga ana ime por jo e firmosur sepse kam besim që edhe ti do të shtosh diçka. Krahasojini letrat, kush është letër për RSH. Ramë dakord që të shqyrtonim letrat dhe vendosnim për më të mirën. Të dy jemi konsultuar me Komisionin e Venecias. Ky komision vërtetë është i posaçëm, por kemi qenë dakord që të jetë një komision bipartizan. Nuk vihet me gjuhën, nëse doni mirë, nëse s’doni e bëjmë vetëm. E kishte bllokuar ti mbledhjen dhe letrën. Nuk mund të formulosh ti dhe të vësh firmën. Nuk drejtohet komisioni, vjen kryetari e lë letrën dhe ikën, i thotë sekretares thuaji zotit Balla tas firmosë. Kemi miratuar në mbledhjen e parë një plan të përgjithshëm pune. E bëre ti, nuk të hoqa asnjë germë. Në pikën 6
Bylykbashi: Mos bëj sharlatanin
Balla largohet: Më ke fyer 7 herë. Do i drejtohem Byrosë së Kuvendit
Bylykbashi: Kjo është tentativë për të bllokuar. Komunikimi me nënkryetarin e këtij komisioni është bërë më 7 prill. Sa ditë të tëra e ka mbajtur. Për një javë nuk ka bërë asnjë propozim dhe e çoi në 3 javë këtë bllokim.