Balla takohet me Ministrin e Drejtësisë e Policisë së Zvicrës, vlerësohet bashkëpunimi dypalësh. Prioritet ekstradimet
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ndodhet në Bern të Zvicrës dhe u takua me Ministrin e Drejtësisë dhe Policisë të Zvicrës, Beat Jans, me të cilin bisedoi për rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, narkotikëve dhe drogave sintetike si edhe migracionit të paligjshëm.
Ministrat trajtuan si prioritet edhe çështjen e ekstradimeve të shtetasve që kërkohen nga drejtësia. “Synojmë të ngremë Ekipe të Përbashkëta Hetimore në kuadër të Europol dhe Interpol, si dhe bashkëpunim në gjetjen e personave në kërkim dhe për ekstradimet”,-thekson Ministri Balla në një postim enkas për këtë takim.
Balla ka nënvizuar faktin se nisur nga të dhënat e 6-mujorit të parë, në Shqipëri pritet të vijnë rreth 100 mijë turistë zviceranë. Vendi po përjeton një ‘boom’ turistik si asnjë vit tjetër më parë. Ky takim i sotëm është pjesë e një turi që Ministri i Brendshëm po zhvillon në Gjermani e Zvicër.