Balla viziton policin e plagosur: Kush qëllon, do marrë përgjigje të fortë

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka vizituar në spitalin e Traumës efektivin e forcave “Shqiponja”, Edlir Alleshi. Efektivi mori dy plumba në bark, pasi në drejtim të tij qëlloi dy herë me armë zjarri Klered Bozhanaj.

Balla sqaroi për mediat se efektivi i plagosur iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe po mjekohet në Spitalin e Traumës. Ministri Balla tha pasi pa nga afër punonjësin e plagosur se rreziku për jetën ka kaluar, por po mbahet nën monitorimin e mjekëve.

Ai paralajmëroi se do të marrë një përgjigje të ashpër nga forca e ligjit ai që guxoi të ngrejë armën dhe të qëllojë mbi policinë.

“Një gjë është e sigurt se ky guxim i madh për të goditur me armë një punonjës policie, e për të mos iu bindur urdhrit të Policisë, do të marrë një goditje shumë të madhe nga Policia e Shtetit. Do të marrë përgjigjen më të fortë. Thirrja ime për personin, apo familjarë të tij, se dua ta ndaj me mediat se personi është identifikuar, është të dorëzohet menjëherë“, apeloi ministri i Brendshëm.

SHKARKO APP