Balliu: Data 18 është anti-kuvend njëlloj si mitingjet e Ramiz Alisë. Basha do të shkarkohet
Dy data, e para nga Sali Berisha që e thërret Kuvendin Kombëtar të PD më 11 dhjetor, dhe Lulzim Basha që me votën e Kryesisë e thërret me 18 dhjetor. Ish-deputeti Klevis Balliu thotë se më 18 dhjetor është një antikuvend ndaj Kuvendit që do të mblidhet më 11 dhjetor.
”Data 18 është anti-kuvend ndaj Kuvendit të PD. Data 18 është anti-kuvend njëlloj si mitingjet e Ramiz Alisë që i bënte PD. Data 18 është një anti-kuvend për të qarë hallet e PD dhe jo çështjet e PD. Kemi një anti-kuvend që ka për mision shkatërrimin e PD sipas zëdhënës së Bashës, Grida Duma. Anti-kuvendi i Bashës nuk ka lidhje me interesat e Bashës dhe të PD”,-tha në ”Ora News”.
Për të misioni i Bashës është të ruaj karrigen e tij dhe të shkatërrojë PD-në. I pyetur se përse Basha ka mbledhur kryetarët e degëve të PD, ai thotë se kryetari e ka bërë një veprim të tillë për t’i përfshirë në planin e tij. Sipas Balliut, e gjitha baza e PD është me Berishën. Po ashtu thotë se më 11 dhjetor Lulzim Basha do të shkarkohet.
”Çfarëdolloj mitingjesh që të zhvillojë Basha për të mbrojtur regjimin Rama- Basha, nuk do ia dali dot kurrsesi që të marrë PD dhe të ja shesë Edi Rama. Lulzim Basha do shkarkohet me datë 11. Më 11 mblidhet Kuvendi Kombëtar i PD siç e kanë kërkuar delegatët e PD dhe pakica që përfaqësohet nga Basha do të shkarkohet dhe do të vazhdojë me ringritjen e PD dhe të aksionit opozitar për të larguar qeverinë e cila ka larguar rininë, që ka mbushur parlamentin me kriminelë. Për të rrëzuar këtë qeveri duhet një opozitë e vërtetë dhe jo një opozitë që i shërben qeverisë”.